Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” se ndërhyrja në 10 ligje të reformës në drejtësi është e përkohshme, deri në plotësimin e kuorumit të Gjykatës së Lartë.
Sipas saj, këto ndryshime, për të cilat tha se kanë ardhur si pasojë e ngërçeve dhe vonesave të vazhdueshme, do t’i japin një zgjidhje shumë të shpejtë vakancave në “Kushtetuese”.
“Në radhë të parë, dua t’ju them që këto janë ndryshime që kanë kohë që diskutohen dhe përgatiten. Ministria e Drejtësisë, së bashku me aktorët e drejtësisë dhe partnerët ndërkombëtarë kanë arritur të përgatisin një analizë të reformës në drejtësi dhe nga ana tjetër kemi përgatitur të gjithë së bashku një paketë me propozime të disa ndryshimeve në paketën e ligjeve të reformës në drejtësi, e cila ka si qëllim kryesor: të mos cenohen parimet dhe standardet që kjo reformë ka vendosur, që me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2016. Këto ndryshime kanë ardhur si pasojë e ngërçeve dhe vonesave që janë shkaktuar në mënyrë të vazhdueshme që nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe i ligjeve më pas që lidhen me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Duke mbajtur në konsideratë numrin e ulët të gjyqtarëve dhe prokuroreve që sot janë në sistem, janë kryer edhe disa ndryshime me propozimet e reja që sjellin mundësinë që qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë që proceset gjyqësore të zhvillohen në një kohë të shpejtë dhe të shkurtër…Dua të kujtojë që kjo është një ndërhyrje provizore, e përkohshme, deri sa të plotësohet kuorumi i Gjykatës së Lartë, duke parashikuar këtë si një procedurë, me qëllim që të arrihet plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Ne jemi të bindur se kjo do t’i japë një zgjidhje shunë të shpejtë vakancave në Gjykatë Kushtetuese.”
Sa i përket akuzave të aktorëve politike, mes të cilëve dhe Presidenca se këto ndryshime cenojne besimin tek reforma ne drejtesi, ministrja i cilësoi të pavërteta.
“Nuk janë aspak të vërteta. Ka qenë një proces gjithëpërfshirës, duke përfshirë jo vetëm aspektin teknik të ekspertizës, por njëkohësisht edhe institucionet e drejtësisë, të cilët kanë qenë ata që kanë sjellë propozimet për ndryshimet përkatëse. Më pas, është parë relevanca. Që në momenin e parë që ne kemi përgatitur propozimet për ndryshimet ligjore, ka qenë pikërisht që ne mos të kemi asnjë cenim të parimeve dhe standardeve të reformës në drejtësi. Kjo i jep një energji më shumë paketës ligjore të reformës në drejtësi. Me qëllim që jo vetëm të kemi plotësim të vakancave në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë të shpejtë, por edhe për të patur procese gjyqësore që të kryhen në mënyrë të shpejtë dhe të shkurtër.”
Më tej, Gjonaj dha një koment edhe për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës, ku theksoi se mazhoranca do t’i shkojë deri në fund këtij procesi.
“Unë besoj fort që duke parë edhe rolin e Presidentit gjatë fushatës, duke qenë plotësisht jashtë veshjes institucionale, jo më kot është ngritur Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, dhe besoj se do t’i shkojmë deri në fund.”