Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se do të vazhdojë “t’iu përgjigjet me forcë” sulmeve të raketave, derisa konflikti me palestinezët në Gaza hyn në ditën e shtatë. Sipas BBC, sulmet ajrore izraelite në Gaza vranë të paktën tre palestinezë të dielën, kanë deklaruar zyrtarët shëndetësorë.
Në anën tjetër raportohet se militantët palestinezë qëlluan me raketa drejt qytetit Tel Aviv, duke bërë që njerëzit atje iknin drejt strehimoreve.
Lidhur me këtë rast, komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për t’i dhënë fund konfliktit të përshkallëzuar.
Të shtunën, presidenti amerikan Joe Biden, telefonoi Netanyahun si dhe presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, për të shprehur shqetësimin që ka ai ndaj situatës aktuale midis të dyja palëve.
Deri më tani të paktën 148 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas zyrtarëve palestinezë, derisa Izraeli ka raportuar 10 të vdekur, përfshirë dy fëmijë.
Izraeli thotë se disa militantë janë midis të vdekurve në Gaza, derisa zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonë se në mesin e viktimave janë 41 fëmijë.