Nga ana e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), vijojnë në mënyrë intensive konsultimet publike me grupet e ndryshme të interesit në lidhje me hartimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026.

Ministrja Evis Kushi njofton se ka zhvilluar konsultimin publik të radhës, kësaj here me me përfaqësues të universiteteve publike dhe jo-publike në vend për vizionin e arsimit të lartë në 5-vjeçarin e ardhshëm.

Në fjalën e saj gjatë takimit, Znj. Kushi tha se është me shumë rëndësi që ky dokument strategjik që synon një arsim të lartë gjithëpërfshirës, standarde të cilësisë, transparencë, integritet akademik dhe hapje ndërkombëtare të universiteteve, të gjejë zbatim nga të gjithë aktorët e përfshirë.

Ajo u shpreh gjithashtu se për ta zbatuar atë, “nuk mjafton vetëm vullneti dhe dëshira jonë, por duhet të jemi të gjithë së bashku”.

“Prandaj, i mirëpresim të gjitha sugjerimet për të përmirësuar objektivat, aktivitetet, buxhetet dhe gjithçka që lidhet me këtë dokument të rëndësishëm”, nënvizoi Ministrja Kushi.