Nga Ylli Pata/ Imagjinoni një moment, kur në kohën kur Sali Berisha qeveriste vendin në vitet 2005-2009, Departamenti Amerikan i Shtetit të kishte futur në listën e zezë një nga paraardhësit socialist të tij. Le ta marrim si shembull Fatos Nanon bie fjala.

Çfarë do të ishte ndodhur në vend?! Sali Berisha do të mblidhte Parlamentin menjëherë në mesnatë si byronë politike në poemën e famshme të Kadaresë.

Do të urdhëronte policinë që të rrethonte banesën e Nanos, do të mbante një fjalim të bujshëm në Parlament, ku do t’i kërkonte Prokurorisë të arrestonte menjëherë “njeriun që po vë në rrezik marrëdhëniet e shenjta të Shqipërisë me aleatin më të madh, aleatin që Zoti ja solli Shqipërisë, Amerikën e lirisë dhe e frymëzimit të botës mbarë”.

Do të sulmonte Partinë Socialiste në Parlament si një forcë politike që po vë në rrezik marrëdhëniet e një vendi të NATO-s me aleatin më të madh strategjik dhe do të kërkonte shkrirjen e saj, nxjerrjen jashtë ligjit dhe themelimin e një opozite të re.

Emisionet televizive të darkës do të nisnin me “materialet bombastike”.

“Ja për çfarë vepre të rëndë korruptive akuzohet nga SHBA ish-kryeministri”.

Do të dilnin analistë të nivelit primarë, ku do të flisnin për një “vendim të rëndë të DASH, i cili ndikon për keq në marrëdhëniet në SHBA”.

Do të dilte Agim Nesho, e do të fliste për të dhënat që ka pasur ai kur ishte diplomat në Nju Jork, kur i kanë folur keq për kryeministrin.

Do të sulmohej pasardhësi i Fatos Nanos, pra Edi Rama, e do të niste linçimi i gjatë mediatik.

Ndërkaq, ata që quhen skifterë e që janë “analistë” për të shpërlarë trutë e militantëve, do të fillonin teoritë e lidhjes së Nanos me Milosheviçin, shitjen e Kosovës etj etj.

Ministria e Jashtme do t’u hiqte pasaportat diplomatike ish-kryeministrit dhe familjarëve të tij, ndërkohë që drejtoria e tatimeve do të dilte e të fliste për verifikim të pasurisë, të të ardhurave.

Të nesërmen, para grupit Parlamentar të PD-së, Berisha do të mbante fjalimin e tij kostant.

“Nuk mundemi ne të lejojmë që dikush të shkatërrojë relacionet me NATO-n, me SHBA-në, që ne e kemi busull orientimi, yll polar në politikën e jashtme”.

Më pas, nga ora 11.00 do të thirrte në zyrë ambasadorin amerikan në Tiranë John Withers apo Alexandër Arvizu, e do t’i shprehte mirënjohjen për SHBA-në dhe do të betohej se në jetë të jetëve Shqipëria do të jetë besnike e kësaj aleance.

I cilësuari si “non grata”, sapo të dilte në studio televizive nuk do të lihej të fliste nga analistët pro Berishës, që do të bërtisnin: “largojeni këtë zotëri nga studioja sepse është non grata nga SHBA”.

Siç bëri njëri me Tom Doshin, e kur ky i fundit i shau robt, fshiu gjithë videot që kishte thënë ndaj tij.

Por natyrisht që e gjitha kjo është një imagjinatë, ne sot jemi në një situatë ku “non grata” është shpallur Sali Berisha, madje me keq se Adriatik Llalla, Tom Doshi e Vangjush Dako.

Kjo, pasi “mandatën” e dha vetë në vetë të parë sekretari i Shtetit i SHBA-së, siç nuk kishte ndodhur më parë.

E ç’bëjnë këta? Pasi e relativizuan me lloj marrëzish: jo është thjesht mos dhënie vize, jo e kanë bërë për Kosovën etj, tani e nisin me teorinë e “kompensimit”.

Me një fjalë, meqë u damkos Sali Berisha, do të duhet të jetë e njëjta skemë edhe për qeveritarët e sotëm, ngaqë sipas tyre edhe ata kanë vjedhur.

Madje një “analist” nga SHBA tha dje se duhet shpallur edhe Spiropali, pasi ajo ka dalë në foto dikur me një bluzë të vjetër e sot kapërdiset me bluza të bukura.

Një mjerim intelektual dhe një logjikë pa lidhje e analizës së një vendimi të paprecedentë që ka marrë DASH ndaj njeriut që simbolizon tranzicionin 30- vjeçar postkomunist shqiptar.

SHBA nuk ndëshkoi Sali Berishën, si një zyrtar që është korruptuar apo ka ndihmuar korrupsionin, por siç e ka edhe vendimi, bëhet fjalë për nivel të rëndësishëm të korrupsionit.

Për minim të demokracisë dhe pengim të drejtësisë për të ndihmuar familjarët e tij dhe aleatët.

Nuk ka asnjë nëntekst që mund të komentohet vendimi i SHBA-së, pasi flet vetë teksti i Departamentit të Shtetit.

Koncepti se Berisha u dënua ngaqë është i larguar nga politika e një njeri në moshë që “fuqi ka vetëm fjalën” është thjesht një skandal nga ana mendore e logjikës intelektuale.

Dënimi i vonë i Sali Berishës, është një vendim që nuk ka asnjë lidhje logjike, politike, juridike apo edhe sociale.

Të vonë e kanë marrë dënimin edhe “liderë të mëdhenj” në botë, nga famëkeqë e famëmirë, nga Pinoçeti e Milosheviçi, apo deri te Shirak apo Sarkozy.

Në këtë rast, kemi të bëjmë me një vendim nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Që është shteti më i fuqishëm i botës, që është aleati më i rëndësishëm i Shqipërisë, e nga këto pozita vjen edhe angazhimi i saj për Shqipërinë.

Nëse gjykimi do të bëhej në thelb për argumentet që shtron sekretari i Shtetit, kushdo aty sheh qartë Gërdecin, kur Berisha shkatërroi drejtësinë për të mbrojtur familjen e tij, aleatët e tij, e si pasojë ka minuar demokracinë në vend.

Nëse panelistët kërkojnë një “ekulibër” apo homologun në Shqipëri, DASH nuk e ka bërë, madje edhe krahasuar me 3 të parët që shpalli non grata.

Me Berishën bëri diferencën e madhe. Kaq e thjeshtë është, e natyrisht është një vendim me vulë të thatë…