Gjatë një aktivi teti për mbrojtjen e territorit dhe zbatimin rigoroz të Kodit Penal për aktivitetet e paligjshme, nga ndërtimet pa leje tek prekja e pyjeve, lumenjve, liqeneve dhe zonat e mbrojtura natyrore e kulturore, mbajtën fjalë Ministri i Turizmit Blendi Klosi, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe Kryeministri Rama.

Kryeministri deklaroi se “sot ne jemi këtu për të vënë një theks shumë të fortë tek domosdoshmëria e kalimit në një fazë tjetër të përpjekjes së përbashkët për të vendosur kontroll absolut mbi territorin në aspektin e mbrojtjes së tij nga ndërhyrjet dhe aktivitetet e paligjshme. Qëllimi kryesor është për të rritur sa më shumë dhe sa më shpejt vetëdijen e strukturave të Policisë së Shtetit në radhë të parë, në raport me këtë aspekt kaq të rëndësishëm të qeverisjes dhe të detyrimeve që ka shteti ndaj vendit dhe qytetarëve”.

“Vazhdojmë të jemi në një fazë konfuzioni mes institucioneve dhe mungese ndërveprimi konstant të orientuar dhe të suksesshëm, gjë që sigurisht kërkon nga njëra anë një mbështetje të plotë në aspektin ligjor. Dhe këtë tanimë e kemi garantuar me ndërhyrjet e fundit që janë bërë, qoftë në Kodin Penal, qoftë në ligjin për disiplinimin e ndërtimeve. Dhe nga ana tjetër, kërkon një paketë të re aktesh nënligjore, ku të gjitha përgjegjësitë dhe ndërveprimet që pasojnë të jenë të qarta për të gjithë”, nënvizoi Rama.

“Është shumë e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë këtu në radhë të parë, por patjetër edhe nga të gjithë aktorët e tjerë që kanë përgjegjësi në këtë aspekt, se çdo ndërtim pa leje sot rrit në mënyrë të ndjeshme kostot e përbashkëta nesër. Duke cenuar pronën publike apo private, duke cenuar planet e zhvillimit, duke cenuar buxhetin e shtetit, pasi vetiu kthehet në një çështje sociale apo financiare si rezultat i inercisë së një procesi legalizimesh, që përndryshe nuk ka për të përfunduar kurrë në rast se nuk vihet përfundimisht pika në fund. Nga ana tjetër kemi ndërtimet me leje që bëhen vatra abuzimi, ku mbi lejen e dhënë ndërtohen volume të tjera dhe krijohen deformime të mëdha përsëri me kosto për komunitetin me kosto për zhvillimin, me kosto për të ardhmen” –deklaroi Kryeministri

Kryeministri Rama u ndal edhe tek roli i Policisë së Shtetit duke thënë se “Policia e shtetit e ka kapacitetin ta kontrollojë territorin në çdo centimetër në mënyrë që të bëhet mburojë e Republikës së Shqipërisë në raport me këtë krim dhe në raport me të gjithë larminë e krimeve ndaj mjedisit. Eksperienca e krijuar është e madhe dhe institucionet janë në gjendje të japin idetë e tyre dhe të shtrojnë problematikat e tyre për të hartuar të gjithë atë paketë aktesh rregullatore mbi të cilat duhet të funksionojë kjo fazë e re ku çdo krim ndaj territorit duhet të jetë i barasvlershëm me çdo aspekt tjetër prioritar që nga krimi i organizuar deri te trafiku i lëndëve narkotike.“

Theks të veçantë sipas kryeministrit meritojnë edhe zonat turistike të cilat sipas tij janë si drita e syve për Shqipërinë duke i konsideruar ato si baza e zhvillimit në funksion të së ardhmes.

“Unë kam shumë besim që kjo polici mund ta transformojë brenda një periudhe shumë të shkurtër qasjen e krejt shtetit ndaj territorit dhe mund të bëhet jo vetëm forca mbrojtëse e pakapërcyeshme në raport me shkelësit por edhe forca e domosdoshme e influencës pozitive mbi të gjitha strukturat e tjera duke filluar nga IKMT e cila ka përballuar një volum shumë të madh pune,” – u shpreh Rama.