Vendi ynë paraqitet me kthjellime gjatë ditës së sotme, situatë e cila vijon deri në mesditë kur pritet shtim i vranësirave duke rrezikuar rrebeshe afatshkurtra shiu në ekstremet veri-verilindje.

Po ashtu, fundjava do të ndikohet nga alternimi i kthjellimeve dhe vranësirave ku në zonat përgjatë kufirit lindor do të rrezikojnë shira të izoluar. Në fakt, ditën e diel shfaqet mundësia për pika shiu edhe në zonat qendrore dhe rrethina të kryeqytetit.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë dhe graduale duke bërë që maksimumi në rang territori gjatë kësaj fundjave do të jetë 24 gradë celsius. Era do të forcohet në fundjavë duke bërë që deti të jetë i trazuar.