Champions apo lamtumirë? E ardhmja e afërt e Cristiano Ronaldos dhe Juventusit kalon nga 90 minutat e fundit të kampionatit. Bardhezinjtë duhet të fitojnë tri pikët në ndeshjen e “Dall’Ara” kundër Bologna të Sinisa Mihajlovic dhe të shpresojnë për një hap të gabuar nga Napoli (në shtëpi kundër Verona) ose Milani (në transfertën me Atalantën). Në rast të moskualifikimit, CR7 do të ishte gati të thoshte lamtumirë një vit para skadimit të kontratës.
E ardhmja? Shumë zëra dhe destinacione të mundshme. Midis këtyre do të ishte një kthim i bujshëm në atdheun e tij, te Sporting Lisbona, ku e filloi karrierën e jashtëzakonshme, pastaj vazhdoi te Manchester United, një klub që e lejoi atë të merrte tjetër hov.
Në lidhje me një kthim të mundshëm te “Luanët” e Portugalisë, numri një i klubit, Frederico Varandas, duke folur për “Sic Noticias”, komentoi: “Unë mendoj se do të luajë këtu një ditë. Cristiano ishte ndër të parët që më dërgoi mesazh urimi për titullin që fituam. Tani, megjithatë, ai ka një vit tjetër në kontratën e tij me Juven. Unë e di se dëshiron të vazhdojë garën për të fituar Champions-in. Padyshim që kthimi këtu varet nga ai. Përveç se është një lojtar i shkëlqyeshëm, Cristiano është tifoz i madh i Sportingut”.
E njëjta dëshirë e nënës, Dolores, e cila me rastin e festimeve të fitores së kampionatit (klubi luzitan nuk e kishte fituar titullin kombëtar prej 19 vitesh) e kishte lëshuar veten: “Unë do të flas me Cristiano dhe do të përpiqem ta bind atë të kthehet në stadiumin ‘Alvalade’ sezonin e ardhshëm dhe të veshë ngjyrat e Sporting”.
Jorge Mendes, agjent i portugezit, u kujdes për rivendosjen e qetësisë dhe ftohjen e entuziasmit, teksa sqaroi për gazetën sportive “Record”: “Në këtë moment planet e së ardhmes për Cristiano nuk kalojnë përmes Portugalisë. Ai është krenar për titullin e fituar nga Sporting, siç demonstroi publikisht, por për momentin Portugalia nuk është në mendimet e tij”.