Në konferencën e përbashkët me ministrin gjerman për Europën, Michael Roth, kryeministri Rama përmendi edhe çështjen e lëvizjes në vendet e BE duke kërkuar ndërhyrjen nga ministri. Rama tha se lëvizja e lirë në vendet e BE edhe e personave që kanë marrë vaksina kineze apo ruse është shumë e rëndësishme.
“Do të ishte shumë më e rëndë sesa shtyrja e vendimit për miratimin e kornizës negociuese të konferencës së parë ndërqeveritare pamundësimi i qytetarëve të Ballkanit për të udhëtuar në Europë normalisht për shkak të ndarjes së tyre në dy kategori, kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë perëndimore dhe kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë lindore. Unë shpresoj që të mos ndodhë kështu dhe uroj që ju dhe miqtë e tjerë të na ndihmoni që ta përçojmë këtë mesazh. Nuk ka arsye që të ndahen njerëzit në kategori kur bëhet fjalë për të drejtën e tyre të lëvizjes së lirë në bazë të rregullave”, u shpreh Rama.