Prej më pak se një viti, Bajram Begaj u zgjodh në krye të Shtabit të Përgjithshem me një konsensus të gjerë. Begaj njihet si mjeku i parë në historinë e Forcave të Armatosura, i cili arrin që të bëhet gjeneral major, e cila është grada më e lartë.

Në një rrëfim të rrallë në emisionin ‘Java në RTSH”, ai tregoi sfidat e FA-ve nën drejtimin e tij si dhe foli për stërvitjen ‘Defender Europe 21’ që mbahet në vendin tonë me forcat aleate. Krahas detyrës së lartë, drejtuesit e emisionit Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli sollën në vemendje edhe autoritetin e treguar në mjekësi nga Begaj.

“Nuk më shkon shumë t’ju them gjeneral sepse kanë një jetë të tërë që ju thërrasin doktor. Ju jeni një autoritet mjaft i njohur në mjekësi dhe në të njëjtën kohë një nga gjeneralët që jeni zgjedhur si Shef Shtabi me konsensusin më të gjerë” – tha analisti Lorenc Vangjeli.

Por ai shtoi se me zgjedhjen e Begajt në krye të Shtabit, vendi nuk “humbi” një doktor të mirë, por fitoi një gjeneral të shkëlqyer.

“Ndaj edhe mendimin e kolegut Zogaj se Shqipëria në Forcat e Armatosura konservoi një mjek dhe fitoi një gjeneral të shkëlqyer” – tha ai.