Ekonomia e luftës, ndarja e vaksinave, traktat mbi pandeminë…
Presidentët dhe kryeministrat e shumë vendeve si edhe OKB prezantuan sot në OBSH idetë e tyre për të ndaluar COVID-19 dhe për të përgatitur përgjigjet për pandemitë e ardhshme.
Kjo Asamble e 74-t botërore e Shëndetësisë (nga 24 maji deri më 1 qershor) zhvillohet në internet ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të përshpejtojë vaksinimin e vendeve të varfra, shumë i vonuar, për t’i dhënë fund pandemisë që po vazhdon të shkaktojë dëme dhe për të rimëkëmbur ekonominë botërore.
“Ne jemi në luftë kundër një virusi. Na duhet logjika dhe urgjenca e një ekonomie lufte, për të forcuar kapacitetin e armëve tona”, deklaroi Antonio Guterres, në hapjen e takimit vjetor të anëtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Çështja kryesore e këtij takimi, cilësuar nga kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus si një prej më të rëndësishmeve të historisë së OBSH-së, është reforma e agjencisë dhe kapaciteti për të koordinuar përgjigjen për krizat shëndetësore botërore dhe për të parandaluar epidemitë e ardhshme.
Disa vende, veçanërisht europianë, kërkojnë një organizatë më të fuqishme, e aftë për të ndërmarrë hetime të pavarura dhe e mirëpajisur financiarisht, ndërkohë që vetëm 16% e buxhetit vjen nga kontributet e detyrueshme nga shtetet.
”OBSH-ja duhet të jetë zemra, busulla e shëndetit tonë global”, deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron para asamblesë.
“Kjo organizatë duhet të jetë e fortë në kohë krizash, mjaftueshëm e shpejtë për të reaguar në rast urgjence, solide përballë polemikave, totalisht transparente për të dhënë besim, me një qeverisje të qartë dhe transparente për të mos pësuar asnjë presion diplomatik dhe që nuk mund të dyshohet për asnjë presion të këtij lloji”, theksoi ai.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel nënvizoi se prioritet duhet të jetë t’i mundësojmë botës të përgjigjet për kërcënimet pandemike sa më shpejt të jetë e mundur dhe mbështeti idenë për krijimin e një Këshilli Botëror për kërcënimet shëndetësore për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin.
Pavarësisht ndjenjës së urgjencës, disa kanë frikë se rezultatet e takimit do të jenë të parëndësishme për shkak të mosmarrëveshjeve midis vendeve, veçanërisht në lidhje me çështjen e kompetencave që do t’i jepen OBSH-së.
Disa raporte të ekspertëve të mandatuar nga OBSH bëjnë thirrje për reforma të mëdha të sistemeve të paralajmërimit dhe parandalimit për të shmangur një fiasko tjetër shëndetësore, ndërsa shumë vende ende nuk kanë kapacitetet e nevojshme të shëndetit publik për të mbrojtur popullatat e tyre dhe për të paralajmëruar në kohën e duhur komunitetin ndërkombëtar si dhe OBSH-në për rreziqet e mundshme shëndetësore.
Këto raporte kërkojnë gjithashtu që OBSH të mund të hetojë në terren në rast krize të papritur pa pritur dritën e gjelbër nga vendet, por ky propozim rrezikon të hasë vështirësi nga disa shtete.
OBSH nuk mundet për momentin të hetojë vetë në një vend. U deshën disa muaj diskutimesh me Kinën që një ekip shkencëtarësh të pavarur, të mandatuar nga organizata e OKB, të ishin në gjendje të shkonin atje për të studiuar origjinën e COVID-19.
Njëri prej raporteve kërkon që autoriteti i kreut të OBSH-së të përforcohet me një mandat të vetëm shtatë-vjeçar pa mundësinë e rizgjedhjes (përkundrejt një mandati aktual prej pesë vjetësh të rinovueshëm), në mënyrë që ai të shpëtojë nga presionet politike.
Drafti i rezolutës për forcimin e OBSH kërkon krijimin e një grupi pune përgjegjës për studimin e të gjitha propozimeve të ekspertëve dhe më pas për të bërë rekomandime për asamblenë e ardhshme.
Teksti gjithashtu i bën thirrje kreut të OBSH-së të bëjë propozime për të përmirësuar sistemin e alarmit shëndetësor, veçanërisht përmes një mekanizmi të mundshëm rajonal.