Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha të enjten se në të gjithë botën infeksionet me COVID-19 janë rritur për të nëntën javë me radhë, ndërsa numri i vdekjeve prej gjashtë javësh.
“Në dy javët e fundit janë raportuar globalisht më shumë raste me COVID-19 sesa gjatë gjashtë muajve të parë të pandemisë. Javët e fundit vendet në secilin rajon që mbulon OBSH kanë patur tregues të qëndrueshëm në rritje për sa u takon infeksioneve dhe numrit të vdekjeve. Nuk është koha të humbasim vigjilencën madje edhe ato vende që aktualisht kanë një rënie të rasteve me COVID”, tha ai.
Koronavirusi po vazhdon të shkatërrojë Indinë, duke e vendosur Kryeministrin Narendra Modi nën presion për të bllokuar vendin për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.
“Nevojitet një strategji e koordinuar në të gjithë vendin”, tha për agjencinë Associated Press Srinath Reddy, president i Fondacionit të Shëndetit Publik të Indisë. Ai shtoi se bllokimet që kanë vendosur disa shtete indiane nuk janë të mjaftueshme në betejën për të mposhtur COVID-in.
Në një letër drejtuar kryeministrit të premten udhëheqësi i opozitës Rahul Gandhi paralajmëroi për ato që i quajti “pasoja më tragjike tek popullata e vendit”.
Ministria indiane e Shëndetësisë raportoi të premten statistika rekord duke iu referuar 24 orëve të kaluara me 414,188 raste të reja me COVID dhe 3,915 vdekje. Zyrtarët besojnë se shifrat janë edhe më të larta.
Australianët të cilët ndodhen në Indi dhe u ishte ndaluar hyrja në vendin e tyre, tashmë do të lejohen të kthehen, duke filluar nga 15 maj. Njoftimin e bëri të premten Kryeministri Australian Scott Morrison. Megjithatë ata australianë që rezultojnë pozitive me koronavirus nuk do të lejohen të nisen nga India.
Sipas universitetit Johns Hopkins pandemia u ka marrë jetën më shumë se 3.2 milionë njerëzve në të gjithë botën. SHBA mbetet në krye të listës si vendi më numrin më të madh të infeksioneve dhe vdekjeve që nga fillimi i pandemisë. /VOA.