Pas Holokaustit, Asambleja e Përgjithshme e OKB që u mblodh në Paris në 9 dhjetor 1948, miratoi Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit. Ajo përcaktoi gjenocidin si, ndër të tjera, “imponimin e masave që synojnë parandalimin e lindjeve” brenda një popullate dhe tha se gjenocidi është një krim sipas ligjit ndërkombëtar, qoftë në paqe apo luftë, për t’u parandaluar dhe ndëshkuar. Premtimi ishte “kurrë më”.

Por kjo po ndodh përsëri në Kinë, një nënshkruese e traktatit, si pjesë e shtypjes së Kinës që nga viti 2016 ndaj pakicës etnike të Ujgurëve dhe myslimanëve të tjerë turk në rajonin e Xinjiang në skajin veriperëndimor. Në fillim, raportet sugjeruan se Kina po kryente shpëlarje truri tek Ujgurët dhe të tjerët, të cilët u detyruan të futeshin në kampe përqendrimi dhe të linin gjuhën dhe traditat e tyre. Kina pretendoi se kampet ishin për arsim profesional, por dëshmitarët okularë përshkruan një arkipelag të burgjeve të rrepta dhe rutinat brutale të riedukimit që synonin të zhduknin identitetin dhe kulturën ujgure, transmeton lexo.com.al.

Tani po shfaqen prova se represioni i Kinës nuk është vetëm kulturor, por edhe fizik. Në një raport të vitit të kaluar nga studiuesi Adrian Zenz për Fondacionin Jamestown dhe në një raport të ri këtë muaj nga Nathan Ruser dhe James Leibold për Institutin Australian të Politikës Strategjike, të dy të bazuar në të dhënat e vetë qeverisë së Kinës, është shënuar një rënie e madhe e lindjeve Ujgure në zonat e Xinjiangut jugor. Kjo duket se është rezultat i një përpjekjeje nga Kina për sterilizimin masiv, kontrollin e detyruar të lindjeve dhe politikat ndëshkuese të familjes. Z. Zenz tregoi se si lindjet e Ujgurëve ishin rritur në vitet para shtypjes, dhe më pas ishin me pikatore. Ai raportoi se ujgurët para vitit 2015 i tejkalonin zakonisht kufijtë shtetërorë për numrin e fëmijëve, duke marrë vazhdimisht gjoba, por politikat ndryshuan në mënyrë drastike duke filluar në 2017, me ndëshkime të përhapura për ata që thyenin rregullat.

Raporti i ri i bën jehonë z. Zenz. Ai zbuloi që Kina vendosi “një policim më detyrues dhe ndërhyrës të proceseve të riprodhimit” kundër Ujgurëve, me gjoba të majme, dënime disiplinore dhe internime jashtëgjyqësore ose kërcënim për të vepruar kështu për shkak të “lindjeve të paligjshme”. Si rezultat, thotë raporti, në zonat ku janë përqendruar ujgurët, lindjet ranë mesatarisht me 43.7 për qind midis 2017 dhe 2018. Autorët thonë se, në përgjithësi, ujgurët kanë pësuar rënie “proporcionalisht më ekstreme” të lindjeve gjatë një periudhe dy vjeçare globalisht që nga viti 1950. Pavarësisht nga ndryshimet, shtojnë ata, “kjo rënie e natalitetit është më shumë se dyfishi i shkallës së rënies në Kamboxhia në kulmin e gjenocidit të Khmer Rouge (1975-79)”, transmeton lexo.com.al.

Në vitin 2020 në Qarkun Maralbeshi, i cili është 94 për qind Ujgur, qeveria vendosi një objektiv të lindjeve prej 4.15 për 1.000 persona, më poshtë nga 51.53 në 2017. Ky synim është më pak se gjysma e lindjeve kombëtare të Kinës prej 10.48 për 1.000 persona në 2019. Ironikisht, kjo goditje dërrmuese kundër popullsisë ujgure erdhi ndërsa Kina përballet me një krizë demografike në të gjithë vendin dhe ka filluar të lehtësojë kufizimet e lindjeve nga familjet Han.

Të gjitha kompanitë shumëkombëshe që mbështesin Lojërat Olimpike Dimërore të Kinës 2022 – Airbnb, Bridgestone, Intel, Coca-Cola, P&G, Samsung, Toyota, Visa, Panasonic dhe të tjerë – duhet të mbajnë shënime. Ose besoni tek “kurrë më”, ose kontribuoni për “edhe një herë”./TheWashingtonPost/Lexo.com.al/e.c.