Në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit, që shpallte Sali Berishën “non grata”, kishte dy pasazhe interesante për aleatët e Berishës.
“Në cilësinë e tij zyrtare si kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetiake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë”, thuhet në deklaratë.
“Për më tepër, – thuhet në deklaratë, – retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjet antikorrupsion dhe masat e përgjegjshmërisë. Me këtë përcaktim, unë rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.”
Dy aleatët e ngushtë të Sali Berishës në këto vite, të përfshirë në aferat e tij janë Fatmir Mediu dhe Ilir Meta.
I pari, i përfshirë në aferën e Gërdecit, pas së cilës qendronte djali i Berishës, Shkëlzeni, ndërsa i dyti ka shumë mëkate me Berishën, nga vrasjet shtetërore të katër demonstruesve, tek lufta që i shpallën reformës në drejtësi, pas së cilës qendrojnë amerikanët.
Dhe për të dy, situata aktuale nuk është fort positive.
Fatmir Mediu rrezikon seriozisht burgun, pasi do të përballet edhe njëherë tjetër me çështjen e Gërdecit, pas rihapjes së dosjes nga SPAK.
Ndërsa për Metën situata është edhe më e komplikuar, duke qenë se është përplasur edhe publikisht me ambasadoren amerikane Yuri Kim, përveç sulmeve të vazhdueshme që ka bërë në media ndaj dy ambasadorëve të fundit amerikanë.
Dy ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, Meta sulmoi ashpër ambasadoren Kim se po mbështet Ramën, ndërsa u shpreh se amerikanët edhe mund ta vrasin.
“I thashë çfarë dini për mua nxirrini thuajini. Nëse ajo (ambasadorja) dëshiron të dalë në podium të bëjë fushatë me Ramën le të dalë, ne do të mbrojmë zgjedhjet.
I kam thënë Donld Lu, jo ti por sekretari i Mbrojtjes që ka raketat bërthamore, edhe për atë nuk dua t’ja di, nëse mendoj se kam të drejtë.
Cfarë ka Amerika dhe BE për mua ti nxjerrin. Më keni parë mua të ndërhyj në punët e Amerikës? Jo, as ata të mos ndërhyjnë.
Amerikën e duam për zgjedhjet e lira. Po të jetë se kemi frikë nga Amerika se ka aeroplanmbajtëse dhe raketa, ka edhe Rusia, duhet të kemi frikë edhe nga Rusia, ka edhe ky, koreano-veriori, edhe ai ka, por ne e duam për demokracinë” tha Meta.
“U kam thënë nëse keni gjë më mua, ju më lajmëroni kur e keni, se unë e di që ju edhe më vrisni, i kam thënë, po të vete te Mali me Gropa më lëshoni ndonjë raketë, që të mos dëmtoj njerëz të tjerë, se nuk e kam problem”, vijoi ai.
Normalisht, Ilir Meta, ashtu siç tha edhe Nikoll Lesi një ditë më parë, është penduar rëndë për ato deklarata.
Tani që aleati i tij Berisha u shpall “non grata” dhe shumë shpejt mund t’i dorëzohet drejtësisë, natyrisht që është frikësuar edhe më shumë.
Por, duket se është pak vonë, pasi pas shkarkimit si president, mund të ketë të njëjtin fat me Berishën!/Marrë nga Tema