Këtë të diel pritet që shirave t’u vijë fundi për të sjellë një javë me kthjellime dhe pak vranësira. Meteorologia, Adiola Bani në një intervistë për Report Tv është shprehur se shiu do të jetë i papërfillshëm ditën e nesërme, teksa shtoi se breshëri që ka dje, kryesisht në Shkodër, ishte një ngjarje ekstreme.
“Fenomeni i breshërit është më se normal në stinën e pranverës, madje gjatë kësaj periudhe e kemi pasur shumë pak prezent, por situata e ndodhur në Shkodër ditën e shtunë pas mesnate do e konsideronim ngjarje ekstreme pasi kemi pasur një sasi të konsiderueshme. Brenda 50 minutash ka rënë një sasi prej 55 mm reshje, ku pjesa më e madhe ka qenë breshër dhe ka krijuar jo pak problematike. Sa i përket breshërit si fenomen është normal, por jo në këto përmasa. Presim që të kemi vranësira në të gjithë territorin shqiptar, por fatmirësisht gjatë orëve të pasdites dhe kryesisht gjatë natës presim që të kemi largim vranësirash dhe rikthim të kthjellimeve në territorin shqiptar duke bërë që e diela të jetë me mot të kthjellët , pritet ndonjë shi i papërfillshëm , do jenë vetëm pika shiu”, tha meteorologia për Report Tv.
Lajm i mirë është se gjatë fundit të maji, do të rikthehen temperaturat tipike të stinës së verës.
“Fillimi i javës, gjatë ditës së hënë dhe të martë kryesisht kthjellime, vranësirat do jenë shumë pak prezente, ku shi pritet vetëm në zonat veriore, presim rritje të temperaturave me 2 gradë. Maji na rikthen në temperatura të larta, tipike të verës, të paktën pas datës 20 maj priten temperatura deri në 30 gradë celsius”, përfundoi meteorologia.