Nga Mero Baze
Edi Rama nuk po argëtohet vetëm me kërkesën për bashkëpunim, por dhe me zërat e çakorduar që i kthejnë përgjigje nga Partia Demokratike. Një kërkesë e tillë ka nevojë për një përgjigje nga Lulzim Basha, por ai nuk flet dot, se ka deri në korrik problemin e rizgjedhjes.
Në mungesë të tij, por akoma më keq, në mungesë të seriozitetit të partisë së tij, japin përgjigje njerëz të rëndomtë, që nuk kanë asnjë përfaqësim politik në PD .
Përshembull, Agron Margjeka kishte një ide se si mund të bashkëpunonin. Të bëhen zgjedhjet e parakohshme lokale tha në një intervistë. Pastaj ditën tjetër u pendua dhe tha të anulohen këto zgjedhje.
Dy ditë më parë kishte si kusht vetëm mërzitjen e Edi Ramës. Pra një sërë dëshirash të tij, tani artikulohen si mesazhe nga opozita.
Jam shumë i qartë personalisht që janë dëshira të tij, por ai nuk është më analist banakësh, por deputet i PD dhe tani çdo gjë që thotë, merret si mesazh nga opozita, përveç atyre që e dinë që ja fut kot.
Por këtu problemi nuk është i tij, por i Lulzim Bashës. Një parti duhet të dije së paku se çfarë mendon kryetari në këto raste.
Në PD as Lulzim Basha nuk e di më çfarë mendon Lulzim Basha për këtë çështje. Dhe pastaj gjërat lihen në mëshire të fatit, dhe kthehet si ato koncertet me kërkesë nga dëgjuesi dikur në Radio Tirana, ku secili ka nevojë për një këngë të vetën.
Po kaq qesharake është situata me Komisionin Hetimor ndaj Ilir Metës. Shumica është e vendosur ta shkarkojë Ilir Metën. Nuk është se i duhet presidenti, por nuk mund t’i krijojë vendit precedentin e shkeljes së Kushtetutës nga një president dhe mos reagim të shumicës. Do të ishte e rëndë për Shqipërinë dhe historinë e saj.
Socialistët duan të lënë gjurmë që e kanë ndëshkuar shkeljen e statusit të presidentit nga Ilir Meta, i cili ka dhunuar Kushtetutën dhe institucionin e Presidentit.
Deputetët që mbështesin PD në Parlamentin e vjetër votuan kundër, pra nuk janë dakord që të shkarkohet Ilir Meta. Por a janë dhe këta si Margjeka, që ashtu e kanë gjykuar, apo është porosi e Lulzim Bashës? Për këtë kryetari i partisë duhet të flas vetë.
Janë tema të mëdha të debatit politik në vend, që duan përgjigjen e tij. Nuk duan parrulla dhe as gjuhen drunjtë që këput broçkulla. Duan së paku një gjuhë që ta kuptojnë dhe demokratët se ç’duhet të bëjnë në këtë rast.
Kjo është diferenca mes atij që e udhëheq partinë dhe atë që e udhëheq partia. Lulzim Basha e ka lënë partinë në rënie të lirë dhe qëndrimet e saj, mund të identifikohen me këdo që flet në emër të saj.
Dhe këmbëngul të rri kryetar! Të vetmen punë që nuk po bën.