Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, po mbanë një konferencë mbi vendimmarrjen e politikës monetare, ku tha se ritmi i rimëkëmbjes është përshpejtuar dhe se ekonomia ka ardhur drejt përmirësimit në tre muajt e fundit.

Por sipas tij, rimëkëmbja nuk është e plotë dhe pasojat e pandemisë janë të dukshme në rënien e punësimit dhe rritjen e papunësisë.

“Ritmi i rimëkëmbjes është përshpejtuar dhe ka ardhur drejt përmirësimit ekonomia në tre muajit e fundit. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se rimëkëmbja nuk është e plotë dhe pasojat e pandemisë janë të dukshme në rënie të punësimit dhe në rritje të papunësisë. Politika monetare do të mbetet në kahun lehtësues. Rritja e aktivitetit ekonomik në muajit e fundit ka qenë më e lartë nga sa ne e prisnim. Kemi pasur edhe rritje të inflacionit në shkurt dhe mars edhe pse është poshtë objektivit tonë.”, tha ai.

Sejko tha po ashtu se këtë vit parashikohet një rritje ekonomike mbi 5.3%, që është më i lartë se parashikimi i mëparshëm prej 4.9%.

“Tremujori i parë i këtij viti ka pasur gjallërim të ekonomisë edhe pse të dhënat janë indirekte. Sektori bankar ka financuar edhe bizneset dhe familjet. Në muajin mars treguesi i kredive me probleme zbriti nën 8% duke regjistruar nivelin më të ulët që nga viti 2009. Rritja ekonomike do të jetë mbi 5.3% është parashikim më i lartë se parashikimi i mëparshëm që ishte 4.9%”, shtoi ai.