Nga Eduard Zaloshnja/ Historia 30-vjeçare e pluralizmit shqiptar na ka treguar se rrotacionet kanë ndodhur kur ka patur një pjesëmarrje masive të popullit opozitar, si më 1992, 1997 dhe 2013, ose kur ka patur një përçarje masive të partisë në pushtet, si më 2005. Kur pjesmarrja e popullit opozitar ka qenë modeste, si më 2001, 2009, 2017 dhe 2021, partia në pushtet ka qenë e aftë ta mbajë pushtetin, falë edhe avantazhit prej të qenit në pushtet…
Në zgjedhjet e 25 prillit, pasi u numëruan të gjitha votat (të vlefshme e të pavlefshme), rezultoi se vetëm 46.3% e shqiptarëve (1.66 milionë) kishin shkuar për të votuar. Një pjesmarrje anemike kjo, pak më e ulët se më 2017, kur pjesëmarrja ishte 47%.
Në qoftë se pjesëmarrja në 25 prill do të kishte qenë 53.6%, siç qe më 2013 (kur PS-ja rierdhi në pushtet), i binte që në qendrat e votimit të kishin shkuar 1 milion e 925 mijë votues (53.6% e pothuaj 3.6 milionëve që ishin në lista). Me një pjesëmarrje të atillë, “muri 800-mijësh” i votave socialiste, me të cilat u mburr Rama, do të ishte përmbytur nga dallga gjigande opozitare…
Në fakt, në qoftë se opozita do të kishte qenë e aftë të sillte një dallgë të atillë votash në kutitë e votimit, nuk do të kishte nevojë sot të gjurmonte rastet e keqpërdorimit të fondeve për të dëmturit nga tërmeti në Durrës, apo të procesit të legalizimit në Tiranë, apo të disa të kërkuarve nga prokuroria në Elbasan.
Në të ardhmen, i mbetet opozitës që, në qoftë se nuk arrin të prodhojë në zgjedhjet e rradhës një dallgë elektorale masive, të shpresojë për një përçarje masive të PS-së, si ajo që i shkaktoi humbjen socialistëve më 2005…
Shënim: Grafiku shoqërues ilustron numerikisht rrotacionin e fundit të pushtetit në Shqipëri, atë të vitit 2013.