Nga Richard Caroll, National Interest/
Kancelari i famshëm i Gjermanisë Otto Von Bismarck, tha dikur për Shtetet e Bashkuara: “Zoti i mbron budallenjtë, pijanecët dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Edhe nëse e ka thënë ndoshta me shaka apo zhgënjim, thënia e tij ka rezultuar profetike përgjatë gjithë këtyre dekadave.
Nga rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989 deri në fillimin e Luftës në Irak, Shtetet e Bashkuara gëzuan një moment unipolariteti në çështjet ndërkombëtare. Për herë të parë në historinë e regjistruar të njerëzimit, një vend i vetëm drejtonte të gjithë çështjet ndërkombëtare.
Kur Shtetet e Bashkuara u përfshinë në Luftën e Irakut, konflikt i cili shumë shpejt u shndërruar në një “moçalishte”, dy konkurrentët e saj më të afërt në skenën botërore, Kina dhe Rusia, filluan që të shtrijnë ndikimin e tyre në punët botërore në kurriz të Shteteve të Bashkuara.
Gjithsesi, kur analizohet tërësia e situatës globale, përveç rastit kur mundtë ndodhë një ndryshim dramatik në punët e brendshme të Shteteve të Bashkuara, kjo e fundit ka një shans shumë të mirë për të rifituar unipolaritetin e tyre në çështjet globale.
Një pjesë e arsyes së qëndrueshmërisë së madhe të aftësisë së Shteteve të Bashkuara për të ruajtur statusin e saj është vendndodhja gjeografike. Me një oqean në të dyja brigjet, me kombe miqësore në veri dhe në jug të saj, dhe me një klimë që siguron disa nga tokat bujqësore më të mira në botë, shoqëruar me lumenj të lundrueshëm që sigurojnë lehtësinë transportin e mallrave dhe shërbimeve, Shtetet e Bashkuara janë të bekuara me përparësitë që i ofron vetë natyra.
Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara janë të pavarura në aspektin energjitik falë zhvillimit të teknologjisë sëre të nxjerrjes së naftës .Një arsye shtesë për qëndrimin e SHBA-së në krye të skenës globale, është trashëgimia e përhershme e Kushtetutës së SHBA-së, e cila deri më tani ka parashikuar një transferim të qëndrueshëm të pushtetit politik midis antagonistëve të ndryshëm politikë, pavarësisht nga trazirat dhe përpjekja e mundshme për kryengritje më 6 janar 2021.
Me historinë e gjykatave të qëndrueshme dhe me një mjedis miqësor ndaj biznesit, Shtetet e Bashkuara kanë qenë deri më tani një oaz i stabilitetit në botë. E kombinuar kjo edhe me avantazhet fizike dhe jo-fizike të diskutuara më sipër, demografia amerikane siguron një prodhim të brendshëm dhe avantazh të tregut të konsumit që nuk e ka asnjë komb tjetër. Ndërsa është e vërtetë që niveli vjetor i rritjes së popullsisë amerikane po i afrohet stanjacionit, mund të thuhet se administrata e mëparshme e Trump, e dëmtoi shumë rritjen demografike duke e kufizuar shumë emigracionin. Për shkak edhe të pandemisë së Covid-19, shkalla e rritjes për popullsinë amerikane është shumë e vogël.
Parashikimet aktuale flasin për 376 milion deri në 404 milion banorë deri në vitin 2060.
Kjo do t’i bënte Shtetet e Bashkuara një treg prodhues dhe të konsumit. Dhe ndërsa SHBA-ja arriti një moment unipolariteti nga fundi i Luftës së Ftohtë deri në pushtimin e Irakut në vitin 2003, ajo zotëron ende potencialin që t’i kthehet unipolaritetit, bazuar jo vetëm në avantazhet e saj, por edhe me qeverisjen e dobët dhe rënien demografike të konkurrentëve të saj më të afërt, Rusisë dhe Kinës.
Sot pretendohet shpesh se Kina do të jetë superfuqia e ardhshme e botës, dhe se Shtetet e Bashkuara janë një komb në rënie. Por një shqyrtim i ftohtë dhe i matur i fakteve në lidhje me Kinën, sfidat ekonomike me të cilat përballet ajo, mungesa e burimeve natyrore, si dhe popullsia aktualisht në plakje, krijon një panoramë më objektive mbi të ardhmen e Republikës Popullore të Kinës.
Borxhi kinez vlerësohet se është rreth 28 trilionë dollarë, ose 282 për qind e PBB-së saj. Madje, për shkak të huave të padeklaruara, përqindja e këtij borxhi mund të jetë edhe më e lartë. Eksperti Peter Zeihan krahason idenë mbi paratë në SHBA dhe Kinë.
Në Shtetet e Bashkuara, paratë konsiderohen si një e mirë ekonomike. Në Kinë, paratë konsiderohen si një e mirë politike. Në Shtetet e Bashkuara, paraja ka vlerë në vetvete. Në Kinë, paraja është një e mirë politike, dhe ka vlerë vetëm nëse mund të përdoret për të arritur një qëllim politik.
Në Kinë nuk ekzistojnë konceptet e normës së rikthimit të investimit apo fitimit. Dhe pikërisht këtu qëndron dhe rreziku:në fund do triumfojë ligji i ofertës dhe kërkesës, dhe ekonomia kineze do të duhet të duhet të korrigjojë shumëçka për të arritur një ekuilibër, dhe kjo do t’i shkaktojë jo pak dëme.
Pamundësia e Kinës për të ushqyer qytetarët e saj është një problem edhe më i madh. Në vitin 2019, Byroja Kombëtare e Statistikave raportoi se çmimet e ushqimeve u rritën me 11.2 për qind. Ndërkohë,çmimi i mishit të derrit, një element kryesor në dietën ushqimore të kinezëve, u rrit me 85 për qind.
Akademia Kineze e Shkencave Sociale vlerëson se furnizimet e brendshme me oriz, grurë dhe misër, do të bien me 25 milionë ton më pak se sa kërkesa në vitin 2025. Në përgjigje të krizës së saj ushqimore, Kina ka dërguar flotat e saj të peshkimit në të gjithë botën.
Ajo është bërë një superfuqi në këtë sektor.
Nga Ekuadori dhe Gana dhe deri në ujërat larg Koresë së Veriut, anijet kineze të peshkimit sillen nëpër oqeanet e botës duke mbledhur peshq në një sasi kaq të madhe sa po kërcënojnë qëndrueshmërinë e specieve të caktuara të peshqve.
Një problem tjetër serioz me të cilën përballet Kina, është rënia e popullsisë së saj. Aktualisht në vend jetojnë 1.4 miliardë njerëz. Popullsia e Kinë ra për herë të parë në vitin 2020. Dhe sipas revistës “The Lancet”, popullsia kineze do të bjerë në 732 milion njerëz deri në vitin 2100.
Ndërkohë, Kina është importuesja më e madhe i naftës në botë. Në vitin 2020, Kina importoi 542.37 milionë tonë naftë. Pjesa dërrmuese e saj transportohet në rrugë detare. Në rastin e një konflikti që mund t`i bllokonte këto rrugë, Kina mund të rrënohej ekonomikisht.
Kur merren parasysh këta faktorë, pretendimi i Kinës për të fituar statusin e një fuqie së madhe duhet të vihet në dyshim. Por nëse Kina është një “dragua prej letre”, edhe Rusia është një “ari prej letre”. Pretendimi i Modkës bazohet vetëm në arsenalin e saj të madh por të vjetruar bërthamor.
Që nga rënia e Murit të Berlinit, Rusia ka rënë në pothuajse çdo aspekt të statusit të një fuqie e madhe, ndonëse vazhdon që të mbetet një fuqi rajonale. PBB-ja e Rusisë vitin e shkuar ishte 1.47 trilion dollarë. Ekonomia ruse renditet aktualisht në vendin e 11-të në botë.
Edhe pse është një arritje mbresëlënëse për një komb prej më se 146 milionë banorësh, kjo shifër është në kontrast të thellë me PBB-në e SHBA-së që për vitin 2020 ishte 20.93 trilionë dollarë. Edhe trendi demografik rus është në rënie.
Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, popullsia ruse parashikohet të bjerë në 83.7 milionë deri në vitin 2100. Alkoolizmi dhe abuzimi me drogën janë në nivele të shfrenuara. Vlerësohet se ky vend ka 2.2 milionë të alkoolizuar dhe 4-6 milionë narkomanë të rregullt.
Me këto probleme me të cilat përballen dy konkurrentët më të afërt të SHBA-së, dhe me mungesën e ndonjë fuqie tjetër botërore për të pretenduar majën, ka të ngjarë që Shtetet e Bashkuara të arrijnë të rifitojë në statusin si një fuqi unipolare, duke parandaluar një lloj shembje të brendshme të Shteteve të Bashkuara. /Përktheu: Alket Goce-abc/