Nga Mero Baze
Edi Rama ndjehet i fituar pasi do të vazhdojë qeverisjen. Lulëzim Basha ndjehet i fituar sepse do të vazhdojë të drejtojë Partinë Demokratike. Ilir Meta ndjehet i fituar pasi do të vazhdojë të jetë president e më pas në krye të LSI.
Pra të gjithë po përpiqen të ndjehen të fituar pas zgjedhjeve, pa ndryshuar asgjë. Kjo është e vetmja gjë e cila do të dëmtojë rëndë opozitën, pasi mos reflektimi ndaj një rezultati, dhe injorimi i tij me justifikime, do ketë pasoja afatgjata mbi të.
Nëse opozita nuk ndryshon duke reflektuar ndaj rezultatit, pra nëse nuk ndryshon nga një ngjarje e rëndësishme politike siç janë zgjedhjet, atëherë ajo do të ndryshoje nga faktorë të tjerë jo politikë, çka do të jetë dhe më traumatike për të.
Një prej këtyre mund të jetë drejtësia. Kështu nëse procesi ndaj Fatmir Mediut do të jetë realist, ai do të përfundojë në burg duke shkaktuar një tërmet më pas në familjen Berisha.
Kjo do të bëjë që opozita të reflektojë tashmë ndaj një vendimi të drejtësisë në varësi të pushtetit të Berishës ende mbi PD.
Nëse PD bëhet gardiane e Mediut që nënkupton të bëhet gardiane e Shkëlzen Berishës dhe makthit të familjes Berisha nga drejtësia, atëherë ne do të shikojmë një PD jo vetëm të zvogëluar dhe të penalizuar, por dhe një parti të tërë të vënë në rresht nga një histori kriminale.
Kjo pastaj mund të nxisë faktorë të tjerë politikë në vend, apo dhe faktorë ndërkombëtarë të reagojnë ndaj tyre, duke penalizuar një forcë të tërë politike që tenton të sillet si peng e së shkuarës së vet.
E njëjta gjë mund të ndodhë dhe me Ilir Metën. Shkarkimi i tij nga Kuvendi është ngjarje e sigurt, por largimi i tij nga zyra e Presidentit mund të marrë kohë dhe nuk është e sigurt nëse ai largohet brenda këtyre muajve që i kanë mbetur dhe ashtu për t’u larguar.
Por nëse opozita bëhet gardiane e tij, nëse opozita harxhon tani energji për të mos ndryshuar, imazhi që ajo do të lërë në shoqëri dhe në opinionin publik, është dhe më i keq se ai i 25 prillit, pasi ajo do të sakrifikohet duke thelluar linjën radikale të 25 prillit që në fakt e mori në qafë në zgjedhje.
Ndryshimi i opozitës dhe reflektimi politik i saj pas 25 prillit është e vetmja mënyrë që ajo ta shmangë këtë tkurrje të re.
Nëse opinioni publik do të shikojë një opozitë që reflekton për humbjen, që reformon lidershipin, dhe përpiqet të bëhet alternativë për shqiptarët, goditjet e drejtësisë apo faktorëve të tjerë ndërkombëtar që mund të godasin Berishën apo Metën, nuk kanë për ta dëmtuar opozitën, por kanë për ta ndihmuar atë të rritet, pasi duket një distancim real.
Pafuqia e saj për të ndryshuar dhe kthimi në gardianë të Ilir Metës e Sali Berishës, ka për ta kthyer atë nga një parti politike, në një çetë komitësh, e cila jo vetëm që nuk do jetë më konkurruese në Shqipëri, por mund të jetë e bezdisshme dhe për vetë elektoratin e djathtë, i cili mund të shpërdorojë energjitë e tij duke u copëzuar dhe humbur fuqinë reale për ndryshim politik në Shqipëri.