Qentë e trajnuar për të nuhatur koronavirusin mund të përdoren në aeroporte ose vende të mbushura me njerëz për të zbuluar personat e infektuar, sipas një njoftimi nga shkencëtarët britanikë.

Qentë e stërvitur për të identifikuar personat me COVID-19 mund të nuhasin pasagjerët për të kuptuar nëse janë të infektuar brenda 30 minutave dhe saktësia e gjurmimit të tyre është më shumë se 94.3% sipas shkencëtarëve.

Për të arritur në këtë përfundim janë përpunuar të dhënat e marra nga 3,500 mostra nga persona të sëmurë dhe punonjës shëndetësore dhe u vu re se qentë mund të zbulonin rastet asimptomatike, rastet me simptoma të lehta, si dhe rastet kur një person është infektuar me variantin britanik.

“Qentë mund të jenë mënyra e duhur për të kontrolluar shpejt një numër të madh njerëzish, por edhe për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në Britani”, tha Steve Lindsay, një profesor në Departamentin e Shkencave të Jetës në Universitetin Durham i cili ishte pjesë e hulumtimit.

James Logan specialist në London School of Hygiene & Tropical Medicine, i cili udhëhoqi studimin, tha se përparësia më e madhe e qenve krahasuar me metodat e tjera të zbulimit, të tilla si testet e shpejta diagnostikuese, është “shpejtësia e tyre e pabesueshme dhe saktësia për të dalluar të infektuarit mes grupeve të mëdha të njerëzve “.