Kryeministri Edi Rama vizitoi sot në Divjakë, kompleksin më të madh të serrave për kultivimin e fidanëve në Ballkanin Perëndimor, ku falë një njeriu të apasionuar fort po edhe falë mbështetjes së AZHBR, në një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh prodhohen çdo vit mbi 15 milionë fidanë.
“Kjo serë xhami me teknologji moderne nga Hollanda, furnizon me fidanë jo vetëm tregun vendas por edhe tregun e huaj”, tha Kryeministri ndërsa shtoi se “për zgjerimin e saj, “Lisar Seedlings” është mbështetur edhe nga programi IPARD.
Rama siguroi se “mandati i tretë do të sjellë më shumë mbështetje për sipërmarrjen në bujqësi e peshkim dhe ne do ta arrimë objektivin e 1 miliardë euro eksporte bujqësore në vit”.
Administratori i kësaj kompanie tregoi nga afër të gjitha proceset e punës që kryhen në serrat e tij, ku përveç të tjerave bëhet edhe shartimi i fidanëve. A theksoi se “sipërfaqja e shalqirit është trefishuar këtë vit dhe kërkesa për eksport është e lartë”.
Ndërkohë, serra e re e ndërtuar me mbështetjen e AZHBR-së prodhon fidanë më cilësorë falë edhe teknologjisë së fjalës së fundit. Po ashtu, sipërmarrësi tha se po ndërton edhe një serë eksperimentale ku do të testojë varitetet e reja të fidanëve. “Dëshira ime e madhe është si të rrisim cilësinë e produktit që ne prodhojmë që të mos na kthehet më mbrapsht nga Europa. Kërkohet ngritje e nivelit të cilësisë”, tha ai.