Nga Ylli Pata/ Familja e Edison Durdës, 7 vjeçarit që u vra në katastrofën e Gërdecit 13 vjet më parë, e kishte paralajmëruar se do të kërkonte nga SPAK të rihapte hetimin për ngjarjen e rëndë, ku u vranë 26 persona, u plagosën mbi 300 dhe u shkatërruan shtëpi e katandi të fshatrave të tërë.

Gerardo Durda, vëllai i Edisonit, ka qenë 14 vjeç kur ndodhi tragjedia, e sot ai është i rritur dhe i diplomuar për drejtësi.

Së bashku me të ëmën Zamirën, ata të vetëm kanë vijuar pa asnjë përkrahje një betejë model për drejtësi e dinjitet për 13 vite.

Sapo SPAK, me një njoftim zyrtar bëri të ditur se do të hapte hetimin për Gërdecin, nisën deklaratat e thirrjet që e gjitha kjo është në vrimë në ujë, ngaqë çështja është hetuar dhe gjykuar një herë, ndërkohë që hedhin edhe logjikën e parashkrimit, pra kalimit të afatit 10 vjeçar.

E gjitha kjo është së paku një optikë krejt e vjetër e drejtësisë shqiptare, e ata që e diskutojnë në këtë logjikë nuk kanë kuptuar fare nga reforma në drejtësi.

Ngritja e SPAK si strukturë që heton çështje specifike të çështjeve penale, por edhe ndryshimet e kryera në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal.

Në reformën në drejtësi, viktima ka një rol primar në procesin penal, gjë që nuk e ka pasur.

Familjarët e viktimave të Gërdecit nuk kanë pasur asnjë të drejtë në gjyqësorin e shkuar, ndërsa tani e kanë e automatikisht çdo nisje hetimesh nga e para do të llogarisë viktimën si palë, njësoj siç janë suvjektet nën hetim, njëlloj siç është Prokuroria, njëlloj siç është trupa gjykuese.

E në këtë aspekt, duke qenë palë, familjarët kanë të drejtë të ofrojnë fakte, prova, të kërkojnë shpjegime e të pyesin dëshmitarë, natyrisht nëpërmjet përfaqësuesit ligjor.

Ndërkaq, krimet që heton SPAK janë krejt të ndryshme nga ato që Prokuroria e dikurshme ka ndjekur.

SPAK gjykon korrupsionin e niveleve të larta të pushtetit. E kjo vepër penale as nuk është prekur në të paktën një milimetër në procesin e parë.

Pra kemi të bëjmë totalisht me një hetim dhe çështje të re dhe jo një rishqyrtim të dosjes së vjetër, e cila edhe ashtu ishte krejt e paplotë.

I takon SPAK, tani të futet në zemrën e problemit të katastrofës së Gërdecit, apo shkakut që solli atë tmerr.

Sepse tashmë dihet botërisht se e gjithë skandali i Gërdecit: dhënia e infrastrukturës së ushtrisë një subjekti për të demontuar jashtë çdo kushti, puna pa asnjë lloj kushti sigurie, rreziku permanent dhe i lartë për jetën e njerëzve etj etj, ka pasur qëllim vetëm fitimin e madh nga palët e përfshira në biznes, të cilët nuk investuan as fare për të garantuar aq sa mundet siguri dhe parandalim të dëmtimit të personave brenda fabrikës por dhe jashtë.

E pikërisht lejimi i kësaj babëzia për të fituar është arritur vetëm e vetëm nëpërmjet korruptimit të zyrtarëve të lartë që dhanë lejën për Gërdecin.

E në këtë rast, SPAK është totalisht në fushën e tij, një fushë krejt e panjohur nga drejtësia e vjetër, e cila si thelb të saj ka pasur cungimin e hetimit dhe mbylljen me procedurë të çështjeve dhe jo sqarimit të tyre.

Ata që bërtasin, qoftë politikanë apo gazetarë me klishetë e vjetra të parashkrimeve apo “është gjykuar njëherë kjo punë” nuk e kanë kuptuar fare reformën në drejtësi. E cila u bë pikërisht për këtë: të çmontojë statuskuonë e vjetër të pandëshkueshmërisë…