Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kamzë, ku vazhdon kthimi në shtëpitë e reja për banorët e dëmtuar nga tërmeti. “Puna ka vijuar dhe do të vijojë pa pushim deri kur familja e fundit mes mijërave që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit, të gëzojë shtëpinë e re. S’ka kohë për pushim”, tha Rama. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Kamzë, vizitoi banesat e reja të dy familjeve që kanë përfituar shtëpi më të mëdha dhe më të forta se më parë. “Erdha ta shoh të përfunduar se nuk e besonit kur erdha herën e parë”, iu drejtua Rama kryefamiljarit.
Kryeministri theksoi se “ne e fituam mandatin e tretë dhe do të vijojmë të ndërtojmë shtëpitë e të gjithë banorëve të prekur nga tërmeti”. “Ne e fituam mandatin e tretë. Këtu në Kamzë akoma luftojnë komunizmin, por ne do t’ja bëjmë të gjithëve shtëpitë nuk ka rëndësi për kë kanë votuar e si kanë votuar”, tha Rama.
Kryetari i bashkisë Kamzë, Rakip Suli tha se procesi i rindërtimit po ecën me ritëm të lartë dhe vetëm në Paskuqan janë 75 shtëpi të reja që përfundojnë brenda muajit.