Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar kryebashkiakun e Londrës Sadiq Khan për fitoren në zgjedhjet në Britaninë e Madhe, ku ai u rikonfirmua për një mandat të dytë.
Përmes një statusi të postuar në “Twitter”, Veliaj e përgëzon homologun e tij britanik, për të cilin edhe më herët kishte kërkuar mbështetjen e të gjithë bashkëkombasve tanë në Londër për ta votëbesuar sërish.
“Çfarë lajmi i mrekullueshëm në Ditën e Evropës! Urime Sadiq! Faleminderit të gjithëve që mbështetën mikun tonë Sadiq Khan. Ai do të vazhdojë të jetë një kryebashkiak progresiv dhe do ta mbajë Londrën një shembull global të hapjes dhe qëndrueshmërisë në këto kohë sfiduese! Bravo!” – shkruan krybashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Sadiq Khan ka fituar një mandat të dytë si kryebashkiak i Londrës, duke mundur rivalin konservator Shaun Bailey. Ai fitoi 55.2% të votave në balotazh me Z. Bailey, pasi asnjëri nuk arriti të siguronte shumicën në raundin e parë të votimit. Ish-deputeti u bë kryetari i parë mysliman i një kryeqyteti të BE-së kur u zgjodh në vitin 2016.