Nga Ilir Yzeiri
Sekretari Amerikan i Shtetit, zoti Anthony Blinken shpalli dje se Sali Berisha dhe familja e tij, pra: gruaja, djali dhe vajza janë caktuar publikisht si të papërshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai më pas renditi arsyet pse ka marrë një vendim të tillë dhe cilido që i lexon ato argumente bindet për një gjë : më në fund SHBA-të, aletati më i sinqertë i popullit shqiptar, sintetizuan në tri kollona ato akuza që pjesa më e shëndoshë e medias shqiptare dhe disa gazetarë të pavaruar i kishin shqiptuar prej kohësh. Kam dëshirë që ta citoj të plotë edhe njëherë atë deklaratë :

“Sot, unë po deklaroj përcaktimin publik për Sali Berishën, një ish President, ish Kryeministër dhe ish anëtar i Parlamentit të Shqipërisë për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të theksuar. Në kapacitetin e tij si Kryeministër i Shqipërisë, në veçanti, Berisha ishte përfshirë në vepra korruptive si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitime dhe pasurim të aleatëve politikë dhe anëtarët e familjes në llogari të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tij qeveritare dhe zyrtarët publikë.

Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë. Më këtë përcaktim, unë rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.

Ky emëritm është bërë nën seksionin 7031 (C) të Departamentit të Shtetit, operacionet e jashtme dhe programe të ngjashme. Përveç Berishës, unë përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajza, Argita Berisha Malltezi si jo të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Janë gjithsej gjashtëmbëdhjetë radhë që përmbledhin akuzat thelbësore dhe perceptimin publik mbi njeriun që hyri në politikën shqiptare si shpresë dhe u largua prej saj si «doktor vdekja».

Personalisht jam prej atyre që nuk e kam kuptuar qysh në fillim natyrën kriminlae të këtij personazhi. Vitet e fundit të rënies së diktaturës, kriza e rëndë ekonomike sidomos dhe kolapsi i llahtarshëm ku u fut Shqipëria, të nxitnin që ta shihje Lëvizjen e Madhe të Studentëve si përmbysjen shpëtimtare që do të sillte më në fund lirinë dhe begatinë e munguar. Sot nuk është rasti të flasim se si u manipulua Lëvizja e Madhe e Dhjetorit dhe si u pushtua ajo prej idealistëve dhe arrivistëve. Vetëm se një gjë duhet thënë me forcë : Sali Berisha jo vetëm që nuk pati asnjë meritë thelbësore kur u vu në krye të PD-së, por, përkundrazi, tani kemi të drejtë të besojmë çdo legjendë urbane dhe teori konsiprative se ai e rrëmbeu postin e kryetarit të asaj partie me një forcë dhe me një mbështetje që askush nuk është në gjendje të na e tregojë. Lindja e PD-së është histora më e varfër e partive politike në Shqipëri. U krye një lëvizje e madhe studentore që ngriti në këmbë pjesën më të madhe të popullit, pastaj një grup intelektualësh u thirrën që këtë lëvizje ta kthenin në parti politike. Asnjë heroizëm, asnjë ndeshje me pushtetin, madje darkë në shtëpinë e një hierarku të lartë të PPSH-së, siç ishte shtëpia e Gramoz Pashkos. Pra, do të duhej të ishte thjesht një lëvizje si ato për krijimin e një OJQ-je apo një partie normale. Ndërkaq, ndodhi krjet e kundërta. Berisha aplikoi metodat staliniste të marra nga Partia e Punës ku kishte shërbyer si sekretar për shumë vjet dhe ndërtoi një forcë politike që në fillim ishte joshëse dhe karizmatike se luftonte gjithçka që ishte «komuniste» duke filluar nga liberalët deri të të përndjekurit politikë.

Merita e parë u takon intelektualëve të asaj që ua quajt Aleanca Demokratike që u distancuan të parët nga Berisha por edhe gazetarëve dhe intelektualëve si Zef Brozi të cilët u përpoqën të na tregonin se përpara kishim një monstër edhe më të rrezikshme se diktatura që lamë pas. Ndërkaq, ndodhi maskra e zgjedhjeve të vitit 1996, erdhi rënia e piramidave dhe vitit i zi 1997. Një pjesë e madhe besonin ende se Berisha po luftonte me enveristët dhe komunistët, se ai po mbante ndezur shpirtin antikomunist dhe nacionalist shqiptar. Krimi tashmë ishte bërë dhe vendi ishte ndarë më dysh. Berisha ia kishte arritur të polarizonte shqiptarët me klishetë banale i kuq dhe blu, i shitur dhe i blerë, grek e serb. Retorika e tij, një nga më të fëlliqurat që mund të shqiptojë një njeri publik, punonte natë e ditë duke baltosur shpifur, sharë e fyer kundërshtarët politikë aq sa krijoi idenë se në këtë vend kundërshtarët e tij ishin dy herë më monstra se ai vetë. Ky ligjërim ishte dhe është akoma një hambar i begatë për të gjithë ata që për një arsye idiote e banale mund të kishin një pakënaqësi për ndonjë kundërshtar politik të Berishës ose për PS-në dhe liderët e saj. Ata i kishin gati mjetet për të nxjerrë dufin e tyre. Kuzhina e Berishës ofronte gjithçka. Kështu u shtuan idiotët e zemëruar, modeli brilant i të cilit është një farë Agim Nesho që e ftojnë nëpër studio si ish-amabsador, babain e të cilit Berisha e ka rrasur në burg, por ai nuk e ka për gjë që të flasë si budalla e të mbrojë Berishën edhe sot kur as djalli nuk e mbron dot.

Berisha iku nga presidenca me turp, por për një pjesë të madhe të opinionit ai u quajt si viktimë e rebelimit të armatosur. Ndërkaq, kur erdhi herën e dytë në pushtet, si kryeministër këtë herë, Berisha u kthjellua dhe hoqi dorë nga krimi politik. Tani ai kishte vetëm një ankth, pasurimin dhe pasurimin me çdo kusht të vetes dhe ashtu siç thotë teksti që e shpall non grata në SHBA, edhe të aleatëve të tij. Privatizimi i KESH-it, Rruga e Kombit, « Gërdeci » dhje « 21 janari », ishin metafora e një krimi të paralajmëruar. Arrogant dhe i paskrupull, ai nuk pati mëshirë as për fëmijët e tij. I përfshiu edhe ata në skemat korruptive kriminale dhe me fodullëkun e një lideri që ngjet vetëm me Gedafin sfidonte prokurorë e gjyqtarë dhe ndërtonte vila në Gjirin famëkeq të Lalsit i verbuar nga pushteti okult dhe nga krimi ku ishte zhytur. Pasi iku nga pushteti, këto tetë vjet në opozitë ai u angazhua në mënyrë të frikshme që të shkatërrojë imazhin e këtij vendi, duke shpifur dhe duke shkatërruar të gjitha institucionet e kryesisht PD-në dhe opozitën. Ai krijoi vatrën e antiamerikanizmit në Shipëri dhe me shpifjet e përbindshme që bënte çdo ditë e paraqiste Shqipërinë si vrimën e zezë të globit duke nxitur një ndarje mes shqiptarëve që nuk kishte ndodhur në asnjë ditë të jetës si shtet më vete. Si për t’i vënë kapak gjithçkaje ai i caktoi opozitës Lulëzim Bashën, njeriun që u betua se do të ndjekë rrugën e tij dhe që e shpalli traditën e Berishës në PD si një vlerë të asaj force politike.

Vetëm pas kësaj trajektoreje të shpejtë që bëra, pra, duke parë se si hyri Sali Berisha në PD dhe si e pushtoi ai forcën e parë opozitare në vend dhe tani në fund si e gjeti pasuesin e tij, gjithkush e kupton që sot Partia Demokratike realisht nuk ekziston më, Berishizimi si fymë dhe si vlerë u quajtën nga SHBA-të si frymë kriminale që sjell korrupsion, që minon demokracinë, që pasuron në mënyrë të paligjshme të afërmit dhe aletatët dhe që me retorikën e përdorur frenon organet e ligjit.

Me Berishën largohet përfundimisht modeli ynë i së keqes të ngritur në majat më të larta të shtetit. Po vendin e tij kush do ta zërë në opozitën shqiptare ? Të presim.