Silva Bino, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së në një dalje për mediat ka sqaruar qytetarët se shtyrja e kryerjes së dozës së dytë të vaksinës kineze Coronac nuk përbën problem për shëndetin e qytetarëve. Bino ka sqaruar se strategjia e vaksinimit ka qenë e tillë që të vaksinohen sa më shumë qytetarë me dozën e pare, ndërkohë ka bërë me dije se pritet që shumë shpejt të vijnë doza të tjera vaksine Coronavac.
“Në lidhje me vaksinën kineze pra vaksinën Coronavac, nuk është se nuk ka doza vaksinash. Ne kemi vaksinë e cila është planifikuar për dozat e dyta. Duke qenë se ritmi i vaksinimit me doza të para, strategjia jonë ka qenë që të vaksinojmë sa më shumë me doza të para, ka një lloj uljeje të dozave të dyta. Shtyrja e vaksinës nuk përbën problem dhe ne presim që të vijnë vaksinat Coronavac shumë shpejt”, ka sqaruar Bino.
E pyetur për mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit, Bino ka sqaruar se rreth 20 % e popullatës ka marrë dozën e parë, duke e quajtur këtë një përqindje të rëndësishme, ndërkohë rreth 10% kanë marrë të dy dozat.
“Procesi i vaksinimit po ecën mjaft mirë. Janë kryer mbi 670 mijë vaksininime. Dhe janë rreth 20 % e popullatës që kanë marrë dozën e parë që është një shifër e rëndësishme. Për një kohë të shkurtër kemi arritur gati 20% të popullatës vetëm me dozën e parë. Kemi një rritje kohët e fundit të personave të vaksinuar plotësisht më të dyja dozat që po i afrohet 10%. Pra kemi një rritje në përqindje dhe natyrisht kjo përqindje është e ndryshme në vende të ndryshme. Përveç kësaj kemi një përdorim dhe shfrytëzim mjaft të mirë të vaksinave”, tha Bino.