Kastriot Ismailaj, i dënuar me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”, sipas të gjitha dëshmive ishte njeriu i besuar i Ilir Metës, aktualisht President i Republikës.

Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka akuzuar Ilir Metën se kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ Shpërndarje dhe se Ismailaj konsiderohej aleat i kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha. Në atë kohë Meta ishte ministër i Jashtëm. Për këtë aferë, Berisha ka kërkuar që Ilir Meta të merrej i pandehur, por kur pa se që të dy dilnin zbuluar, u tërhoq.

Në qershor të 2019, Shqiptarja.com publikoi një investigim serioz, ku Ilir Meta, një ditë para zgjedhjeve te 2009, i kërkon me urgjencë Kastriotit një shumë prej 200 mijë euro.

Ndërkaq, gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ndër të tjera ka rrëfyer se “Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika, shpesh herë vinin në shtëpinë tonë. Kemi kaluar shumë dreka dhe darka së bashku: Ilir Meta i kishte forcuar lidhjet me Kastriotin që në kohën e krijimit të FRESH-it. Kastrioti kishte ndërmjetësuar edhe pajtimin e Ilir Metës me Fatos Nanon dhe ky është një fakt i njohur publikisht. Për t’ju rikthyer historisë së CEZ-it, po sjell vetëm një shembull: ka qenë pikërisht Ilir Meta, që pasi kishte realizuar uljen e çmimit të energjisë, i kërkonte Kastriotit që t’u kërkonte çekëve që ta shpërblenin atë, pra Ilirin, me pretendimin se ai i kishte bërë të fitonin miliona euro. Mjafton që të shohësh SMS-të që Ilir Meta i dërgonte Kastriotit në vitet 2010, 2011 dhe e kupton lehtësisht këtë. Kastrioti ka qenë gjithashtu shpesh nën presion për të dhënë para nga bizneset e tij, për të ushqyer fushatat elektorale”./Shqiptarja.com