Studimi i parë mbarëkombëtar rreth vaksinimit për koronavirusin në Izrael tregon se vaksina e Pfizer/BioNtech funksionon shumë më mirë me dy doza. Rezulton se dy doza të vaksinës sigurojnë më shumë se 95% mbrojtje nga infektimi, format e rënda të sëmundjes apo edhe vdekja. Lajmin e bëjnë të ditur studiuesit në revistën mjekësore Lancet. Me popullsinë e tij të vogël, Izraeli pati mundësi që të vaksinonte shpejt pjesën më të madhe të njerëzve.

Studiuesit zbuluan se vaksina siguron 95.3% mbrojtje ndaj infektimit dhe 96.7% mbrojtje kundër vdekjes, shtatë ditë pas dozës së dytë. Po ashtu vaksina rezultoi 92% efektiv kundër infeksioneve që nuk shkaktonin asnjë simptomë. “Deri në 14 ditë pas vaksinimit, mbrojtja e dhënë nga një dozë e dytë rritet në 96.5% mbrojtje ndaj infeksionit, 98% kundër shtrimit në spital dhe 98.1% kundër vdekjes”, shkruan studiuesit.

Por njerëzit që morën vetëm një dozë të vaksinës ishin shumë më pak të mbrojtur. Vetëm një dozë dha vetëm 57.7% mbrojtje ndaj infeksionit, 75.7% kundër shtrimit në spital dhe 77% kundër vdekjes. Studimi u financua nga Ministria e Shëndetësisë së Izraelit dhe Pfizer.