Teuta është zyrtarisht skuadra kampione e Shqipërisë në këtë sezon. Ekipi durrsak mposhti 6-1 Apoloninën në “Niko Dovana”, duke u rikthyer pas 27 viteve te titulli kampion. Hera e dytë në histori që trofeu i madh zbarkon në qytetin bregdetar.
Dejvi Bregu ishte heroi i ekipit të Edi Martinit me një tregolësh, teksa fitorja tenistike u plotësua nga Lorenco Vila, Renato Arapi dhe Sebino Plaku. Pa vlera eurogoli i Redon Mihanës për ekipin fierak, që e mbylli ndeshjen me nëntë lojtarë pas daljeve me të kuq të Repajt dhe Sotës.
Festë në kampin e Teutës dhe lot në “Loro Boriçi”. Vllaznia mposhti 2-0 Laçin falë golave të Herald Markut nga pika e bardhë e penalltisë dhe Haris Dilaver në pjesën e dytë. Sezon fantastik për ekipin shkodran, që mund të fitojë një trofe nëse mposht Skënderbeun në finalen e Kupës së Shqipërisë.
Kastrioti ia doli të fitojë 1-2 Kukësin dhe tani do të përballet me Tomorin në finalen e “play-off”. Devid dhe Daci realizuan golat e fitores për ekipin krutan. Bylisi i bashkohet Apolonisë në Kategorinë e Parë.
Skuadra ballshiote doli pa pikë nga takimi shtëpiak me Partizanin. “Demat” e Ilir Dajës fituan 2-4 falë golave të Carës, Cardosos, Selitës dhe Malës. Sfida tjetër, Tirana-Skënderbeu përfundoi 3-1 për ekipin kryeqytetas. Taulant Seferi shënoi dy gola për vendasit.