Pas më shumë se një viti mbylljeje për shkak të pandemisë globale të Covid 19, Tirana është gati të presë vizitorë dhe turistë këtë sezon veror. Me lehtësimin e masave anticovid dhe përparimin e procesit të vaksinimit, kryeqyteti shqiptar po hapet dalëngadalë për t’iu rikthyer normalitetit dhe jetës së mëparshme. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj përmes mesazhit Tirana is Open, fton të gjithë të kontribuojnë për ripërtëritjen e ekonomisë vendase duke nisur nga baret e restorantet që kanë vuajtur edhe më shumë pasojat e mbylljes për shkak të pandemisë.

“Në të gjithë Tiranën po hapen restorantet, po hapen baret po i kthehemi normalitetit. Tirana is Open! Ky është slogani ynë. E fillojmë sot te Cereni, por do jemi në të gjitha pikat kryesore të Tiranës për të dhënë mesazhin që duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin, të konsumojmë për të ndihmuar ekonominë vendase. Duke ndihmuar çunat dhe gocat fantastike që shërbejnë me pasion mund të ngrihemi në këmbë më të fortë seç ishim kur u rr ëzuam nga pandemia dhe nga tërmeti,” shprehet Veliaj përmes një video të postuar në rrjetet sociale. Veliaj thekson se Kalaja e Tiranës është vendi ku të gjithë mund të shijojnë gatimet tradicionale të kryeqytetit. “Mos harro të vizitosh Kalanë e Tiranës, ku mund të shijosh gatime tradicionale shqiptare si të restorant “Ceren”, nga më të mirët në qytet,” shprehet ai.