Nga Alba Malltezi
Sot është Bajram dhe Zoti e Natyra kërkojnë nga ne të jemi të mirë. Kështu do të ishte në një botë të drejtë, të paqtë dhe me harmoni. Në atë botën ku njerëzit, që në fillimet e qytetërimit, vranë mendjen, e për të rregulluar e harmonizuar bashkëjetësën e vështirë, u ndriçuan me Zotin e Drejtësisë. Qysh në mitilogjinë greke, (që mund të jetë edhe shqiptare për shkak të kufijve që aso kohe ishin pa kufi), njerëzimi kërkoi Drejtësi.
Eshtë kjo arsyeja jetike dhe primare që na bën të mos jemi ende të qetë edhe në ditën e paqtë e të magjishme të Bajramit: Mungesa e Drejtësisë në vendin tonë të bukur, në këtë cep magjik të Ballkanit.
Zamira Durda i ka ende të pambyllura plagët e djalit të saj të vogël Edisonit, i cili vetëm 7 vjeç, ndërsa luante me biçikletën e tij mes gjelbërimit të fshatit të vogël të Gërdecit, do të humbte jetën në shpërthimin e 15 marsit 2008. Bashkë me të humbën jetën 25 të tjerë, punëtorë të demontimit të municioneve e fshatarë të zonës.
Drejtësia e vjetër e mbylli pa drejtësi çështjen, ku e gjithë Shqipëria njeh në detaje jo vetëm kush ishte dora e babëzisë që kërkoi të pasurohej duke krijuar një superbiznes pa asnjë lloj sigurie, e gjithë Shqipëria njeh hap pas hapi se si një Shtet u vu në shërbim të kapriçove dhe urisë për para të një familjeje, por sheh e vazhdon të pësojë talljen e njerëzve të pasuruar me atë biznes që sot shijojnë luksin, duke sfiduar moralin, ligjin dhe logjikën. Madje, këmbëngulën të rimerrnin pushtetin për të varrosur përgjithmonë apo për të ribërë akoma gjëra të tmerrshme.
Një nënë shqiptare di të përballojë dhimbjen, di të përballojë humbjen e një njeriu të shtrenjtë, por një nënë, një grua, një motër shqiptare nuk duron dot padrejtësinë. Jua kujtoj shpesh Ornela Canajn, motrën që gjeti në vrimë të dreqit (në SHBA me identitet të rremë) vrasësin e motrës dhe të nënës së saj, Aldës 16 vjeçare dhe Mbarimes që e mbulonte me trupin e vet ndërsa ish-shikasi i çmendur qëllonte se ndjehej i refuzuar në fantazitë e tij të dashurisë. E patë Ornelën edhe kur sistemi hileqar i drejtësisë së korruptuar dhe medias së kalbur donin ta lironin vrasësin? U shfaq si një shqiponjë për t’i dhënë goditjen e fundit që meritonte duke detyruar të rikthehej në burgun përjetë që meritonte.
Zamira Durda është e njëjta nënë, grua, motër-shqiponjë që pret Drejtësinë për djalin e saj, sepse ajo e kupton atë që shumë e shumë të tjerë nuk e kuptojnë dot: Nëse padrejtësia ngrihet në sistem, atëherë sot goditi vogëlushin e Zamirës, por nesër e gjithmonë mund të godasë të gjithë pa përjashtim. Derisa ekuilibri të vendoset, Zamira e tha vetë: Unë edhe një kasolle mund të kaloj ditët e mia, vetëm për djalin dua Drejtësi. Një grua të tillë, nuk e ndal dot askush. Gra si Zamira, Ornela, bëjnë histori