Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino ka thënë se procesi i vaksinimit ka ulur ndjeshëm numrin e të infektuarve dhe të viktimave në vend. Sipas Binos deri në tetor apo në fund të vitit, për festat e ndërrimit të viteve do të jemi një vend me mbulesë të lartë vaksinale.
Bino: Të gjitha bashkitë e mëdha kanë një incidencë të ulët, përveç rritjes që kemi në Lezhë dhe Kukës. Pjesa më e madhe e vendit paraqet ulje të incidencës. Kemi arritur një pikë të pozitivitetit që shkon nën 5%, kjo lidhet edhe me numrin e testimeve që po kryhen. Ky është një element që flet për një ulje të qarkullimit të virusit. Po ashtu kemi vënë re një ulje të incidencës së vdekjeve, por kemi ende vdekje dhe njerëz në spitale që janë me covid.
Në vaksinimet me dozë të parë kemi ulje në numrin e vdekjeve dhe si rezultat ka një impakt të vaksinimit në numrin e vdekjeve. Ne do ia dalim dhe deri në tetor apo për festat e fundvitit do jemi një vend me mbulesë të lartë vaksinale. Shqipëria është një nga vendet, që ka arritur sukses në procesin e vaksinimit.
Qytetet që kanë bërë një numër të lartë vaksinash janë Vlora, Fieri, por nuk mbetet pas as Tirana që ka një kompleksitet më të lartë. Strategjia që ne kemi ndjekur për vaksinimin duket sikur ka sukses. E them me shumë kujdes këtë fjalë, por tregohet që ka këtë lloj kujdesi dhe është e rëndësishme që të mbajmë ritmet e vaksinimit në përgjithësi.