Nis sot nga Porti i Durrësit stërvitja ‘Defender Europe 21’ më e madhja ushtarake që pret Shqipëria si aleate e NATO-s, me pjesëmarrjen e rreth 28 mijë trupave shumëkombëshe.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, publikon videon prezantuese të eventit ku sqarohet se “duke u mbështetur në suksesin e vitit të kaluar, “Defender Europe 21“ do të jetë gatishmëri dhe ndërveprueshmëri ndërmjet aleatëve e partnerëve, në përgatitjen e forcave që të kundërveprojnë shpejt ndaj krizave, si dhe të kryejnë operacione të mëdha luftimi, nëse u kërkohet”.

“Sot nga Durrësi fillon stërvitja “Defender Europe 21“, me pjesëmarrjen e rreth 28 mijë trupave shumëkombëshe, nga 27 shtete, që realizojnë operacione pothuajse të njëkohshme në më shumë se 30 zona stërvitjeje, në 12 vende”, shkruan Peleshi.

Stërvitja do të ushtrojë aftësinë e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë për të shërbyer si Komandë e Bashkuar e Komponentit të Forcës Tokësore, dhe si partner i sigurisë në rajonet me rëndësi strategjike të Ballkanit dhe të Detit të Zi, ndërsa mbështet aktivitetet në Evropën Veriore dhe Afrikë.

Manovrat Defender-Europe këtë vit kanë përfshirë rreth 28,000 forca amerikane, aleate dhe partnere nga 27 vende për të kryer operacione të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi në më shumë se 12 shtete, nga Balltiku dhe Afrika në Detin e Zi dhe Ballkan. Përveç ofrimit të gjashtë bazave detare, tokësore dhe ajrore, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, do të angazhojë 1000 trupa në këtë stërvitje.