Kosova renditet e fundit në rajon për furnizim me vaksina anti-Covid, ndërsa i vetmi vend në Evropë që ende nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave anti-Covid.
Vaksinat e siguruara deri më tani janë donacion nga BE ose OBSH. Deri më tani në Kosovë kanë arritur 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca nga programi i COVAX dhe 7680 doza të vaksinës Pfizer që BE ka ndarë për Kosovën, 3000 prej të cilave kanë arritur mbrëmë.
38400 doza të vaksinës AstraZeneca nga programi COVAX pritet të arrijnë në Kosovë më 12 Maj. Këtë vonesë deputetja e LVV-së Fitore Pacolli e arsyeton me ndërrimin e qeverive, ndërkohë nuk komenton rrefuzimin që ju bë ndihmës së ofruar nga Shqipëria.
“Ne e dimë se BE ka probleme me furnizimin me vaksina edhe në vendet e tyre po ashtu problem është ndryshimi i qeverive në Kosovë në periudhën e pandemisë sidomos në rrëzimin e qeverisë Kurti dhe këto vonesa janë e ish-qeverisjes së kaluar e cila nuk ka nisur negociata për vaksina shumë më herët. Qeveria Kurti dhe Ministria e Shëndetësisë po bëjnë të pamundurën që të sigurojë vaksina sa më shpejt të jetë e mundur”.
Deri më tani në Kosovë janë vaksinuar mbi 29 mijë të moshuar dhe staf shëndetësor. Pas rinisjes së procesit të imunizimit kur erdhën edhe dozat e para të vaksinës Pfizer janë duke u vaksinuar vetëm stafi shëndetësor.
Megjithatë qytetarët e tjerë të Kosovës të cilët kanë shtetësi të dyfishtë ja kanë mësyrë vendeve fqinje Shqipërisë, Serbisë por edhe Maqedonisë së Veriut për t’u vaksinuar.