Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti sot në një takim Ministren federale për BE dhe Kushtetutën të Republikës së Austrisë, Karoline Edstadler, e cila po zhvillon një vizitë dy-ditore në Shqipëri.
Të dy ministret vlerësuan nëvojën e lehtësimit të kufizimeve të qytetarëve pas vaksinimit masiv në BE dhe Ballkanin Perëndimor.
“Ne kemi bërë progres të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Tani kemi kaluar 500 000 inokulime.
Në kushtet aktuale, qoftë për arsye turizmi apo për arsye familjare e pune, lëvizja e njerëzve midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian është shumë i rëndësishëm. Prandaj solla në vëmendje nevojën që të lehtësohen sa më shumë pengesat për rajonin tonë, që është pjesë e Evropës dhe i integruar gjithnjë e më ngushtë me tregun e brendshëm të BE, si pjesë e përgatitjeve për anëtarësim”, tha Ministrja Xhaçka.
Ajo rikonfirmoi plotësimin e kushteve dhe nevojën e miratimit sa më parë të Kuadrit Negociues dhe zhvillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.
“Shqipëria, edhe pse në kushtet e një viti të vështirë nga pandemia, vijoi angazhimin e saj, duke dhënë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara në përfundimet e Këshillit të Marsit 2020 dhe duke plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Këshilli për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Tashmë është radha e BE për të vlerësuar arritjet tona konkrete, duke filluar konkretisht bisedimet e anëtarësimit”, u shpreh ministrja gjatë konferencës për shtyp.
Ministrja Edstadler theksoi mbështetjen e Austrisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, duke theksuar rëndësinë e procesit te zgjerimit për vetë të ardhmen e BE-së. Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor nëdiskutimet e ‘Konferencës mbi të Ardhmen e Evropës’, proces që do të nisë më 9 maj, në Ditën e Evropës, si një ogur i mirë për rajonin dhe perspektivën e tij të anëtaresimit në BE.