The Guardian/ Organizata Botërore e Shëndetësisë ka aprovuar vaksinën Sinovac kundër Covid-19 për përdorim emergjent – vaksina e dytë kineze që merr dritën jeshile të OBSH-së.

Agjensia shëndetësore e OKB miratoi CoronaVac, një vaksinë me dy doza të zhvilluara nga firma me qendër në Pekin, e cila tashmë është duke u përdorur në disa vende të botës.

“Jam i lumtur të njoftoj se vaksina Sinovac-CoronaVac ka marrë nga OBSH miratimin për përdorim emergjent, pasi rezultoi e sigurt, efektive dhe me cilësi të garantuar”, tha shefi i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus të martën në një konferencë shtypi.

“Kërkesat e lehta të ruajtjes të CoronaVac e bëjnë atë shumë të përshtatshme për vendet me burime të pakta,” shtoi ai. “Tani është e domosdoshme të sigurohen sa më shpejt, këto mjete jetëshpëtuese për njerëzit që kanë nevojë.”

OBSH tha që lista e përdorimit emergjent (EUL) u jep vendeve, financuesve, agjencive të prokurimit dhe komuniteteve siguri se vaksina ka përmbushur standardet ndërkombëtare. Muajin e kaluar Sinopharm u bë vaksina e parë kineze që u miratua nga OBSH.

Organizata u ka dhënë gjithashtu këtë status vaksinave që prodhohen nga Pfizer / BioNTech, Moderna, Johnson & Johnson, dhe vaksinës AstraZeneca që prodhohet në Indi, Korenë e Jugut dhe BE, të cilat llogariten veçmas.

Listimi i OBSH-së hap rrugën që vendet në të gjithë botën të aprovojnë dhe importojnë një vaksinë për shpërndarje sa më shpejt, veçanërisht ato shtete pa një rregullator të vetin me standarde ndërkombëtare.

Ajo gjithashtu hap derën që vaksinat të hyjnë në strukturën globale të shpërndarjes së vaksinave Covax, e cila synon të sigurojë qasje të barabartë në doza në të gjithë botën, veçanërisht në vendet e varfëra. Aktualisht vetëm AstraZeneca dhe disa vaksina Pfizer po ofrohen përmes kësaj skeme.

“Bota ka shumë nevojë për vaksina Covid-19 për të adresuar pabarazinë e madhe të aksesit në të gjithë globin”, tha Mariangela Simao, ndihmës drejtoresha e përgjithshme e OBSH-së për aksesin në produktet shëndetësore.

“Ne i nxisim prodhuesit të marrin pjesë në strukturën e Covax, të ndajnë njohuritë dhe të dhënat e tyre dhe të kontribuojnë në vënien nën kontroll të pandemisë.”

“OBSH rekomandon vaksinën për përdorim tek të rriturit 18 vjeç e lart, me dy doza, në një hapësirë ​​prej dy deri në katër javë,” tha agjencia në një deklaratë.

“Rezultatet e efikasitetit të vaksinës treguan se ajo parandaloi sëmundjen simptomatike në 51 përqind të të vaksinuarve dhe parandaloi formën e rëndë të Covid-19 dhe shtrimin në spital në 100 përqind të popullatës së studiuar.”

Vaksina Sinovac përmban një formë të inaktivizuar të koronavirusit që nuk mund të shkaktojë sëmundjen. Ajo gjithashtu ka një substancë që ndihmon në forcimin e përgjigjes imunitare ndaj vaksinës.

Kur bëhet vaksina, sistemi imunitar identifikon virusin e inaktivizuar si të huaj dhe prodhon antitrupa kundër tij, të cilët më pas do të njohin virusin aktiv dhe do të mbrojnë trupin kundër virusit.

Pak njerëz të moshës mbi 60 vjeç morën pjesë në provën klinike të vaksinës së Sinovac. Sidoqoftë, OBSH tha që nuk duhet të ketë kufizim të sipërm të moshës për vaksinën pasi nuk ka “asnjë arsye për të besuar se ka një profil tjetër sigurie” në moshat e mëdha.

Vaksina e Sinovac është tashmë në përdorim në 22 territore në të gjithë botën, sipas një llogaritje të AFP. Përveç Kinës, vendet që përdorin Sinovac përfshijnë Kilin, Brazilin, Indonezinë, Meksikën, Tajlandën dhe Turqinë.