Nga Ylli Pata/ Mbrëmë nuk ishte e diel, ku zakonisht në televizione janë emisionet humoristike, që bëjnë për të qeshur përgjithësisht me parodi e skeçe me politikanë.

Ishte e hënë, ku Adriatik Llalla, ish-kryeprokurori i dënuar për korrupsion, të cilit ju edhe sekuestrua pasuria e paluajtshme, dha realisht skeçin më të këndshëm prej kohësh.

Performanca e drunjtë e Llallës që ngjan me një personazh abstrakt të trios milaneze: Aldo, Giovani e Giacomo u shpërfaq para “Pim Çekës”-parodisë së Portokallisë, në një gallatë vërtetë lineare.

Avokat Ngjela ka një aksiomë kur thotë se i akuzuari është në një gjendje aq të rëndë psikologjike, sa nuk mund të flasë vetë pasi nxjerr vetëm broçkulla, ndaj i duhet mbrojtësi ligjor.

Llalla fatkeqësisht nuk e kishte në krah Sokol Hazizajn, avokatin e tij, ndaj dhe ngjante dje si një personazh i këndit televiziv delirues “Rrethi Katror”.

E sipas Llallës, Inxhinier Rex Tillerson, një nga specialistët dhe drejtuesit më të fuqishëm të industrisë së hidrokarbbureve në botë, që u bë deri dhe CEO i Exon Mobile, kompanisë lider që është në majën e botës për tregun e energjisë, e më pas u emërua Sekretari i Shteit të SHBA, ka ndëshkuar një jurist me arsim të cunguar që u bë kryeprokuror për të mbrojtur Sali Berishën e Ilir Metën, për interesa të ca puseve në Marinëz.

Megjithatë, Llalla, gjatë intervistës në televizionin e familjes Berisha, ka avancuar në delirimin e tij, edhe në fazë që normalisht duhet të përgjigjet për dëshmi të rremë, apo për shpifje. Ai tha se Romana Vlahutin, i ka kërkuar që të arrestojë Sali Berishën, duke ndjekur shembullin e Ivo Sananderit. Sipas të gjitha gjasave, logjikës, apo etikës e çdo diplomati, deklarata e Adriatik Llallës është një gënjeshtër e pastër, tipike siç flet Berisha. Nuk ka mundësi, e logjikë që një ambasador e Bashkimit Europian t’i ketë kërkuar Llallës kë të arrestojë.

Ajo që është sipas të gjitha gjasave e vërtetë, është se ambasadorja Vlahutin ka folur me hollësi për precedentin Sanander, gjë që e ka bërë edhe në publik. Madje ka sjellë në Tiranë edhe kreun e Prokurorisë Speciale të Kroacisë, USKOK, Dinko Civitan, homologia e SPAK-ut shqiptar.

Të gjitha qëndrimet e tjera janë dokrra dhe nuk kanë asnjë bazë. Adriatik Llalla hyri në përplasje me SHBA dhe BE kur degdisi që në vitin 2015 grupin e prokurorëve tëe trajnuar në SHBA, që nuk i dekretoi as Nishani.

Më pas Llalla pas miratimit të Reformës në Drejtësi, tentoi ta sabotojë atë nëpërmjet manipulimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. E këtu pati edhe përplasjen fatale, ku SHBA mori qëndrimin e saj.

Pastaj, kur Llalla përmend emra të përveçëm, pra gazetarë që kanë influencuar me shkrimet e tyre në DASH, është shumë më keq se Alfred Cako. Ai është thjesht një i goditur rëndë në psikikën e tij, pas dënimit dhe sekuestrimit të pasurisë, e natyrisht ka folur, pasi ka frikën që ky dënim do të vijë të rritet, ngaqë mund ta nxjerrë bashkëpunëtor në pengimin e hetimeve edhe më të rëndësishme ndaj zyrtarëve të lartë në vend.

Megjithatë, një krim penal Llalla duket e ka bërë me dashje në intervistën e tij, por që mendon që nëpërmjet asaj të quhet martir. Një martir që u bë hajdut, apo një hajdut i martirizuar…