Kontrata për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës nga bashkimi i kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction, i përbërë nga Mabetex Group, i cili mban 50 % të aksioneve, YDA Group me 48 % dhe A Group sh.p.k me 2 % është publikuar në Fletoren Zyrtare, proces ky që i hap rrugën edhe nisjes së punimeve. Bashkimi i operatorëve ekonomikë do të investojnë një vlerë prej 104 milionë euro për ndërtimin e këtij aeroporti.
Në fazën e parë në periudhën 2-vjeçare do ndërtohet godina e aeroportit dhe pista që kapin vlerën mbi 103 milionë e 500 mijë dollarë. Ndërsa në fazën e dytë, në 4 vitet e para do të zhvillohet infrastruktura suplementare e biznesit dhe turizmit që arrijnë vlerën e investimeve me qindra-miliona euro. Kriteret teknike të vendosura përmbushin ato të kategorisë 4E, që është një nga kategoritë më të larta të aeroporteve ndërkombëtare duke nisur nga pista që duhet të jetë 3,2 km dhe deri tek sipërfaqet terminalit dhe të gjithë lehtësitë e tjera që ky aeroport duhet të ofrojë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku më herët është shprehur se aeroporti në të ardhmen do të jetë edhe shtëpia e “Air Albania”. Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është në strategjinë tonë të aviacionit civil një nga veprat më të mëdha që është projektuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike, që deri më sot nuk janë ofruar nga vendi ynë për shkak të pistës jo të përshtatshme në aeroportin e Rinasit.