Pas miratimit të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimit të përditshëm të saj, reformave thelbësore, anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO dhe vulosjes së të ardhmes Europiane, ka ardhur koha që Bashkimi Demokratik për Integrim të transformohet. Kështu ka deklaruar kryetari i BDI-së Ali Ahmeti gjatë fjalimit të tij me rastin e 19 vjetorit të themelimit të partisë së tij.
Prandaj ne sot, mu në ditëlindjen e 19-të të Bashkimit Demokratik për Integrim, në përputhje me Rezolutat e miratuara në Kongresin tonë të fundit, po nisim një politikë të re, një mënyrë të re të të bërit politikë dhe të vepruarit të drejtpërdrejt, përtej të drejtave etnike, zhvillimit dhe synimeve integruese, politikë për drejtësi mjedisore, për jetë cilësore. Sot, Bashkimi Demokratik për Integrim në tërësi e përqafon agjendën e gjelbër si pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane dhe e shton atë në krah të shtyllave tona programore si prioritet, deklaroi Ahmeti. Kryetari i BDI-së Ahmeti gjithashtu me këtë rast ka thënë se ai bashkë me bashkëpunëtorët e tij tashmë janë fokusuar tërësisht në cilësinë e të jetuarit, kushteve të jetës së përditshme, zhvillimin, arsim dhe shëndetësinë cilësore, drejtësinë joselektive, dixhitalizimin, politikat sociale, infrastrukturën, ekonominë dhe mjedisin jetësor.