Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, priti në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias me bashkëpunëtorë.
Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Dendias për rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës dhe angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç ishte rasti në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku vota greke ka qenë përcaktuese për pranim, por edhe për votimin për pranim në Bankën Qendrore Evropiane, Frankofoni e Komisionin e Venecies.
Ministri Dendias shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit grek për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar me Kosovën dhe për investime të reja. Duke pasur parasysh historinë dhe gjeografinë e përbashkët të rajonit, ministri i jashtëm grek tha se Greqia është shumë e interesuar të rris bashkëpunimin kulturor me Kosovën. Ai u interesua të dijë edhe për ecurinë e procesit të ri të dialogut.
Kryeministri Kurti e njoftoi se takimi në Bruksel do të jetë për dialogun e ardhshëm që duhet të jetë parimor, e ku Kosova do të trajtohet palë e barabartë. Ai përsëriti kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti helen dhe theksoi rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Ministri i Jashtëm Dendias tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave dhe se do të përkrahë e ta ndihmojë Kosovën në rrugën europiane dhe euro-atlantike.