Vijimi i procesit të vaksinimit masiv në gjithë vendi ka bërë që shifrat e të infektuarve me COVID-19 gjatë ditëve të fundit të ulen ndjeshëm.
“Situata paraqitet e qetë, ku duket se stina e verës do jetë e qetë por edhe vjeshta nuk do ketë rritje të infektimeve me COVID-19″, tha mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti gjatë një interviste televizive.
I pyetur për rënien e numrit të infektimeve mjeku theksoi se ,”ka qenë rënie e vazhdueshme duke filluar nga marsi e më pas, ku u kuptua që kjo rënie ishte e qëndrueshme. Po të shohim përhapjen gjatë 4-javëve të fundit, dmth përhapjen dyjavore për 100 mijë banorë ishte 29.7, një javë më pas shkoj 20.1 pastaj 11.1 dhe tani që flasim është 6.9. Kjo është një shifër tepër e ulët, për komunitetin europian një shifër e ulët quhet 75 ne jemi aktualisht as 7”.
Mjeku Alimehmeti tha se një sërë faktorësh kanë bërë që të kemi rënien e infektimeve e ku kryesor është vaksinimi masiv i popullsisë.
“Kjo situatë pritej për shkak të një numri të lartë të atyre që e kane kaluar COVID-19, një numër i rëndësishëm dhe është vaksinuar. Stina e verës patjetër që ndihmon në ketë drejtim, pra të kombinuara bashkë këto elemente kanë sjellë një situatë të qëndrueshme”, tha ai.
Ai shtoi se, “vjeshta do të jetë prova e zjarrit, ku do të na ketë çuar imunizimi natyror dhe ai artificial, do të na e tregojë vjeshta dhe dimri që vjen. Por duke marrë parasysh që numri i personave që e kanë kaluar është shumë i lartë, nëse nuk do ketë variante të reja që do kapërcejnë imunizimin, besoj se do të vijë një vjeshtë e qetë, jo e krahasueshme me atë të vitit të kaluar, por do të jetë një valë shumë më qetë. Sensi i vaksinimit është ai i kthimit në jetën normale, kjo është arsyeja pse e bëjmë. Në situatën ku ne jemi, situata është shumë e qetë, transmetimi nuk është komunitar”, tha mjeku.
Në fund mjeku i bëri apel qytetarëve që nuk e kanë kaluar COVID-19 të vijojnë të zbatojnë masat për tu mbrojtur nga infektimi.
“Kush e ka kaluar COVID, apo është vaksinuar duhet të jetë nga ana psikologjike më i qetë, ata që nuk e kanë kaluar apo nuk janë vaksinuar, duhet të mbajnë një lloj mbrojtje”, përfundoi Alimehmeti.