Nga studio e lajmeve të MCN TV, gazetari Arian Çani komentoi zgjedhjet brenda PD dhe deklaratën për rikthim të kryeministrit Sali Berisha. Sipas Çanit Partia Demokratike është në ditët më të keqja, ndërkohë që siç u shpreh ai rikthimi i ish-liderit Berisha nuk është normal. Fakti që PD ka rreth 70 mijë anëtarë dhe në zgjedhje kanë votuar rreth 40 mijë tregon qartë problemet brenda partisë dhe sipas Çanit kjo parti mund të bëhet edhe më keq.
Pjesë nga intervista: Flasim pak për politikën e brendshme. Kemi patur shumë lajme. Rikonfrimimi i Bashës, çfarë do të thotë për vetë atë, për PD dhe domokratët, në opozitë? Çani: Nuk është se do të thotë ndonjë gjë të madhe. Ishte një ngjarje që pritej. Në Shqipëri do jetë patjetër numri dy dhe Basha ka talentin për të qenë numri dy. Kjo ishte ngjarje pa ngjarje dhe mesa duket duhet ta shohim dhe opozitën si biznes. Deri dje e shihnim si kauzë, por tani është biznes edhe për ata që përfitojnë brenda PD. Ai e ka të vështirë të bëhet edhe në zgjedhjet e ardhshme. Gjithë ky insistim tregon se ka interesa të mirëfillta. Nga karriera e tij Basha është ok, por për opozitën duhet të kuptojmë se ku e çon.
Kandidatja Harxhi ka deklaruar se nuk i njeh zgjedhjet, ndërsa i gjithë procesi u shoqërua me akuza për parregullsi e pabarazi. Mund të parathonë këto, luftë brenda PD? Çani: Luftra të tilla brenda partive do ketë gjithmonë, nuk është çudi edhe pse kandidatët kanë thënë që do qëndrojnë në PD. Kjo parti është në ditën më të keqe, s’ka vlerë nëse ikin dy apo tre. Nga 70 mijë anëtarë që kanë deklaruar kanë votuar rreth 40 mijë. Ka një problem të madh. Në këto momente është në ditët më të këqia por mund të bëhet dhe më keq se kaq.
Mund të kthehet Sali Berisha në krye të PD sipas jush? Çani: Nuk e di pse doktori e tha, ose është një lloj presioni që i bën faktorëve dhe jo të vetëve. Mua më duket pak fantashkencë. Ai mund të bëhet nëse mendon se mund të mbrohet nga drejtësia e re. Ka një logjikë deri diku, por a është rruga e duhur? Besoj që jo. Nëse amerikanët kanë vendosur ti godasin deri në fund për mua s’ka rëndësi nëse je apo jo kryetar i opozitës. Kam përshtypjen jemi duke notuar në ujëra të turbullta. Mua s’më duket normale që ai të rikthehet. Sado që ka mbështetës ai ka ikur dhe rikthimi do kërciste pak por mbetet e hapur çdo gjë.