Bizneset në fushën e turizmit gjithnjë e më tepër po bëhen pjesë e aplikacionit “AgroTime AL”, nisma më e re që sjell agroturizmin shqiptar në smartphonin e gjithkujt dhe lehtëson komunikimin me të gjitha hapësirat që ofron Shqipëria për agroturizëm dhe konsumatorët e këtij sektori

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi solli sot shembullin e agroturizmit Kodra e Gështenjave, në Tropojë.

Pjesë e aplikacionit AgroTime AL është edhe Chestnut Hill Kodra e Gështenjave, në Tropojë, një agroturizëm i vendosur në një peisazh mbresëlënës mes maleve të veriut tonë. Nëse e keni shkarkuar aplikacionin, mund të planifikoni menjëherë vizitën tuaj.

Për të stimuluar agroturizmin qeveria ka bërë një projekt dhe ai projekt planifikon dhënien e një shume prej 5 mijë eurosh për çdo emigrant që dëshiron të investojë kursimet e bëra për të hapur derën e shtëpisë së gjyshit e kthyer në një bujtinë.

Për këta emigrantë do të ketë edhe amnisti fiskale. Ata mund të vijnë ti fusin në bankë paratë e mbledhura pa patur nevojë të japin llogari vetëm me kushtin që të mos jenë para të krimit.

Agroturizmi me një klik është aplikacioni i ri AgroTime AL, një guidë online për të gjithë ata që duan të vizitojnë fermat turistike, të shijojnë produktet lokale, gatimet tradicionale dhe eksperiencën e posaçme që të ofron fshati përmes kësaj dege të re në zhvillim të turizmit shqiptar.