Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) ka një vëmendje të posaçme ndaj biznesit të vogël e të mesëm duke i mbështetur financiarisht këto sipërmarrje me investime në asete fizike për të gjeneruar më tepër ekonomi qarkulluese në mjedisin rural. Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca me ftesë të AIDA-s dhe në prani të kryetarit të Bashkisë Berat, Ervin Demo mori pjesë në një sesion informimi për mënyrën si bizneset e mesme dhe të vogla në Berat mund të zhvillohen më tej përmes programeve të mbështetjes. AZHBR përmes 9-të masa që ofron Skema Kombëtare, mbështet me subvencione fermerët në sektorë prioritar të bujqësisë, blegtorisë dhe agroturizmit.
Ndërsa programi IPARD, financon mbi 50% të investimeve në bujqësi dhe industri agropërpunuse. Krifca tha se, gjithashtu në mbështetje të këtij sektori edhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar projektligjin “Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”, me qëllim rritjen e mbështetjes së biznesit për të forcuar konkurrueshmërinë e tyre dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas saj, objektivat dhe rezultatet e synuara të projektligjit janë rritja e mbështetjes për ndërmarrjet e vogla e të mesme me 50 %, rritja e aplikimeve për teknologji të reja nga zero aktualisht në 50 % brenda vitit 2022, rritja çdo vit e numrit të ndërmarrjeve të reja, numrit të të punësuarve si edhe futja e instrumenteve të reja financiare me 10 % si dhe rritja e shkallës së përthithjes së granteve me 100 % nga bizneset. Ekonomia shqiptare është e fokusuar kryesisht në aktivitetin tregtar, fenomen i cili vihet re edhe në ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2020. Regjistrimet e reja numërojnë 22,1 % të ndërmarrjeve tregtare.
Ndërsa SME japin një kontribut të çmuar në ekonominë e vendit, rritjen e punësimit dhe të ardhurave në ekonominë familjare.