Nga Plator Nesturi
Nuk ka qenë hera e parë që ndodh kur Ballkani pengon Ballkanin për integrimin në BE. Vite të shkuara ishte sërish Maqedoni e Veriut që bllokohej nga një tjetër shtet, Greqia, dhe e gjitha kjo në lidhje me emrin e saj. Krizë që vijoi për shumë vite në marrëdhniet e brishta midis vendeve ballkanike. Tashmë pengesa po për Maqedoninë e Veriut vjen nga ta që mund të konsiderrohen të afërt të saj, Bullgaria, dhe e gjitha kjo me çështje të karakterit identitar, të gjuhës dhe të etnicitetit. Por kur rrugëtimi drejt BE ka nisur të bëhet në grupe çift, dhe Maqedonia e Veriut do të ish si shoqëruese e Shqipërisë për vendimin në hapjen e negociatave të anëtarësimit, duket se penaliteti është sërish çift. Prezantimi i ecurisë së reformave dhe funksionaliteti demokratik e institucional e secilit vend duket se po shndërrohet si një prezantim tangoje e vendeve kandidate ballkanike përpara jurisë së BE.
Nëse Shqipërinë e zë ngrëçi gjatë kërcimit eliminohet dhe Maqedonia e Veriut. Dhe nëse Maqedonisë i thyhet taka gjatë kërcimit eliminohet dhe Shqipëria. Kritere të çuditshme që po na bëjnë të pandashëm me fqinjin tonë lindor. Para dy vitesh, kur vende të BE treguan skepticizëm për Shqipërinë, u tha se e pësoi dhe Maqedonia e Veriut. Porse në atë kohë opozita shqiptare kish muaj e muaj protestash me molotovë, e nën tymin e flakëve që ngriti nuk kish shikueshmëri të pastër nga brigjet e BE. Ndërsa sot, pas dy vjetësh, po na kthehet restoja. Ndërsa kaluam dhe provimin me Holandën dhe skepticizmin e atyre që nuk duan zgjerimin, vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut na penalizon dhe ne. Presidenca e Portugalisë që mbyllet në fund të këtij muaji nuk arriti të mundësojë një marrëveshje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Dhe në kushtet kur vendimi i ministrave të Jashtëm të BE do të merej për të dyja vendet bashkarisht, vendimi është shtyrë për muaj në vijim.
Marrja e presidencës nga Sllovenia në 1 korrik, si vend që është më pranë realiteteve të rajonit mendohet se mund të shërbejë si shtysë për gjetjen e një kompromisi dhe hapjen e dritës jeshile për konferencën Ndërqeveritare të negociatave më Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Deri atëherë mbase mban kohë e mirë për shëndetin e gjithkujt.