Ish-presidenti Bujar Nishani, njëherësh një nga kritikët më të ashpër të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të këtij të fundit, ndërsa ka përshëndetur deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha për t’u rikthyer në krye të PD.
Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, zoti Nishani u shpreh se e lexon deklaratën e Sali Berishës se mund të rimarrë timonin e selisë blu si një mesazh të qartë për anëtarësinë e Partisë Demokratike, që sipas tij, është më e dobët se kurrë.
Madje, ish-presidenti, i cili tashmë drejton Këshillin Kombëtar të PD theksoi se kushdo që do çonte partinë në fitore është i mirëpritur, duke lënë të nënkuptohet se ai mbështet një rikthim të Berishës.
“Me aq sa mund të bëj deduksionin tim është një deklaratë që nuk është emocionale, por një mesazh i gjerë për anëtarësinë e PD, kurrë në 30 vite nuk ka qenë më e dobët se sot dhe më këtë mesazh ngre alarmin se partia është duke shkuar keq e më keq. Ne jemi përballë asaj që përfaqëson sot Basha pamundësinë për të çuar PD në fitore dhe cilido që do të ishte do të ishim të gatshëm të bëhej kjo, pasi me Bashën kjo është e pamundur”, deklaroi ai.
Më tej zoti Nishani akuzoi Bashën se shkatërroi PD-në.
“Lidershipi që doli pas 13 qershorit nuk gëzon mbështetje solide të anëtarësisë për të realizuar transformimin e partisë. PD ka përgjegjësi për të dalë parti e parë, pas 8 vitesh në opozitë dhe një qeverisje plot dështim e PS, PD doli shumë poshtë, tregon dobësi të madhe të organizimit të saj. PD në gjykimin tim rezultoi e çorganizuar nga pikëpamja e strukturave”, u shpreh ai.
Ndërkohë, ish-presidenti Nishani theksoi se është kundër një bashkëqeverisje PD-PS.
“S’ka asgjë të qartë se çfarë është bashkëpunim dhe cilat janë termat, Rama historikisht ka qenë hilanjos në deklaratat e komunikimet me PD. Bashkëqeverisja do të ishte asgjësim për PD”, nënvizoi Nishani.