Gola dhe spektakël në “Puskas Arena”, në Budapest, në sfidën mes Portugalisë dhe Francës. Ndeshja e madhe e raundit të tretë të Grupit F të Euro 2020 përfundoi 2-2. Një rezultat që lejoi të dy ekipet kombëtare të kualifikohen në fazën e 1-8-ave. Në fushë u pa një nivel i jashtëzakonshëm loje, por mbi të gjithë spikatën dy protagonistë: Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema, secili autor i një dygolëshi.
Një mbrëmje e madhe për të dy ish-shokët e skuadrës te Reali i Madridit. Francezi u kthye te goli me “Les Bleus” 2085 ditë pas atij finalizimi kundër Armenisë më 8 tetor 2015, ndërsa kampioni portugez i Juves arriti rekordin e iranianit Ali Daei, që ka shënuar 109 gola për ekipin kombëtar. CR7 thellon edhe rekordin e golave të shënuar në Europian, duke arritur kuotën e 14 finalizimeve në total, 5 më shumë se Platini.
Pas vërshëllimës së trefishtë të kryesorit, të gjithë ishin të kënaqur, për barazimin dhe kualifikim. Franca e para dhe Portugalia e treta. Në daljen para medieve në përfundim të sfidës, Benzema, ndër të tjera, foli edhe për bisedën që pati me Cristianon:
“Është gjithmonë kënaqësi të takohesh me Cristianon, sepse së bashku kemi bërë një udhëtim prej tetë apo nëntë vjetësh te Reali. Kemi fituar trofe, kemi shënuar gola së bashku dhe është kënaqësi kur takohemi përsëri në fushë. Folëm për gjëra normale, për të ditur nëse gjithçka po shkonte mirë dhe i uruam njëri-tjetrit fat në klubet dhe ekipet kombëtare.”