Në një intervistë televizive Skënder Brataj tha se lajmi i heqjes së vendit tonë dhe i futjes në zonën jeshile nga vendet e BE-së, është një lajm pozitiv.
Brataj tha se ndërkohë, janë ulur format e rëndë të koronavirusit dhe kjo ka ardhur si rezultat i vaksinimit dhe imunizimit të njerëzve në masë.
“Lajmi i heqjes së vendit tonë dhe i futjes në zonën jeshile, është një lajm pozitiv, sidomos për sezonin turistik, por edhe në raport me shëndetin e biznesin. Ky është një laj shumë i mirë se e dimë se çfarë kemi hequr në këto kohë me njerëzit e sëmurë. Ndërkohë, janë ulur format e rëndë të covidit. Kjo si rezultat i vaksinimit dhe imunizimit të njerëzve në masë. Kjo ka bërë që të shmangen shtrimet në spitale dhe të ulet numri i vdekjeve. Kemi pasur disa ditë pa shtrime, ndërsa këto ditë kemi pasur nga 4-5 shtrime. Prandaj duhet të kemi kujdes me ulje-ngritjen e numrave.
Situata është shumë herë më mirë se periudha e vitit të kaluar. Fillim i këtij viti ishte shumë mirë. Ne vazhdojmë me këshillimet në banesë dhe me dërgimin e rasteve që kanë nevojë në spitale. Simptomatologjia nuk ka ndryshuar, por ka ndryshuar shpeshtia dhe variacionet. Ndërkohë ka pasur shumë raste kur konfondohet publiku lidhur me rastet e varianteve dhe me marrjen e vaksinave kineze, duke thënë që të mos e marrin këtë vaksinë”, tha Brataj.
Brataj shtoi se duhet të vaksinohet e gjithë popullata në mënyrë që të çlirohemi nga virusi dhe theksoi se duhet pasur akoma kujdes.
“Duhet të vaksinohet e gjithë popullata në mënyrë që të çlirohemi nga virusi. Sigurisht që ka shumë lajme nga bota sa i përket Indonezisë, Rusisë apo Indisë që kanë rritje numrash. Ne jemi ndër vendet që kanë numra të ulët sa i takon covidit, por nuk varet situata e virusit nga askush sepse ai nuk ka kufi dhe nuk zgjedh. Deri më tani ka qenë Pfizer si vaksina më efikase, ndërkohë që pas një studimi të fundit, AstraZeneca ka rezultuar si më efikasja ndër të gjitha vaksinat”, shtoi më tej Brataj.