Britania e Madhe ka shtyrë heqjen përfundimtare të të gjitha kufizimeve kundër pandemisë deri më 19 korrik 2021. Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se shtyrja po ndodh për shkak të një rritjeje të numrit të të infektuarve me variantin Delta të koronavirusit. Planet e qeverisë britanike kanë qenë që me 21 qershor të rihapet plotësisht ekonomia e vendit.
Në Angli, shumica e rregullave aktuale – përfshirë kufizimet në numrin e njerëzve që mund të takohen në bare dhe restorante do të vazhdojnë të mbesin në fuqi, megjithëse kufizimet në numrin e mysafirëve të lejuar në dasma do të hiqen.“Nës, pas dy javësh, kemi arritur në përfundimin se rreziku është zvogëluar, atëherë ekziston mundësia që të marrim vendim për një hapje të plotë”, tha Johnson. “Në një periudhë të caktuar, ne do të duhet të mesohemi të jetojmë me virusin dhe ta menaxhojmë atë sa më mirë që të mundemi”, tha kryeministri.
Varianti Delta i koronavirusit të ri, që është më i transmetueshëm, u identifikua së pari në Indi. Rreth 96 për qind të rasteve në Mbretërinë e Bashkuar janë me këtë variant të virusit.
Rastet pozitive janër rritur për 50 për qind javën e kaluar. Varianti Delta besohet të jetë rreth 60 për qind më i transmetueshëm se varianti Alpha i identifikuar për herë të parë në Britaninë e Madhe.
Sidoqoftë, hospitalizimet dhe numri i vikt imave mbeten të ulëta, falë fushatës së vaksinimit të zhvilluar në Britaninë e Madhe. Më shumë se 55 për qind e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë dy dozat e vaksinës.