Këtë të diel qyteti i Pogradecit ka çelur sezonin turistik veror, me një kalendar të pasur aktivitetesh, ndërsa nuk mungoi edhe panairi i punimeve artizanale dhe produkteve bio.
Ky sezon veror, sipas kryetarit të bashkisë Ilir Xhakolli, do i sjellë Pogradecit 100 ditë vere ku në çdo ditë nuk do të mungojnë aktivitet kulturore dhe sportive, për të argëtuar kështu të gjithë ata turistë që këtë vere do të zgjedhin qytetin liqenor.
“Besoj që Pogradeci do jetë i tejmbushur me qytetarë nga Shqipëria, por edhe më tej për shkak të vendimit të qeverisë për të mos patur pengesa për turistët e huaj. Sot kemi çeljen e sezonit, besoj se do kemi një sezon turistik të shkëlqyer. Do të ketë aktivitet të ndryshme çdo ditë, për 100 ditë. Shumë shpejt do bëhet i mundur edhe lundrimi nga Liqeni i Pogradecit në drejtim të Maqedonisë së Veriut, operatori privat është bërë gati. Kërkojnë mbështetje nga ne për një ambient për shitjen e biletave dhe ne ja vëmë në dispozicion. Ne kemi fituar në një marrëveshje nga fondet e BE një traget me vlerë 500 mijë euro dh eshumë shpejt do të jetë edhe ai disponibël”, tha Xhakolli.
Përmes punëve të artizanëve dhe produkteve bio, në panairin e sotëm tradita ka qene kryefjala në çdo tavolinë të amvisave e artizanëve që prezantuan produktet e tyre.
Ashtu si çdo vit, edhe në këtë sezon Pogradeci synon të jetë destinacioni i preferuar i turistëve nën freskinë dhe pamjen piktoreske që e karakterizon.